Askush s`e pranon përgjegjësinë për lëndimin e 32 nxënësve në Pejë

Megjithëse rrethoja e ballkonit në palestrën e sporteve “Karagaqi”, e shkatërruar një javë më parë, është rregulluar, ende nuk është bërë askush përgjegjës për incidentin në të cilin pësuan 32 nxënës.
Madje Kuvendi Komunal e ka anashkaluar edhe nga rendi i ditës diskutimin e kësaj çështjeje të ndjeshme. E heshtur ka mbetur edhe Drejtoria për arsim.
“Nëse nxënësit do të kaploheshin nga paniku pas rrëzimit do të paraqitej rreziku të ketë viktima”, ka thënë Arbëresha Ajdini-Nallbani, kryesuese e Kuvendit Komunal. Ajo ka bërë të ditur se në mesin e nxënësve të lënduar ka qenë edhe djali i saj, si dhe vajza e kryetarit të Komunës, Ali Berisha. Por si organet më përfaqësuese udhëheqëse ata kanë anashkaluar debatin dhe kanë larguar përgjegjësinë nga institucionet komunale.
“Debati për lëndimin e nxënësve nuk ka hyrë për shkak se nuk ishte përgatitur, askush nuk e ka kërkuar këtë çështje para seancës, sepse sipas procedurës duhet të caktohet në fillim ”, ka thënë Ajdini Nallbani. Ajo ka thënë se ishte shqetësuar me këtë rast, porse nuk mund ta fajësoj askënd.
“Kjo çështje nuk duhet të politizohet, vetë jam doktoreshë dhe kjo ka qenë një traumë për të gjithë. Edhe kryetari e ka pasur vajzën e unë djalin aty, por nuk jam unë ajo që duhet ta gjej fajtorin ”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa Leonard Shabanaj, nga Drejtoria e Arsimit, ka pranuar se kanë dështuar edhe drejtorët e shkollave, sepse nuk i kanë dërguar nxënësit në mënyrë të organizuar.
Nga ana tjetër, opozita ka akuzuar Kuvendin se ka anashkaluar nga seanca e Kuvendit temën më të ndjeshme të këtij fillimviti.
Sali Lajçi (PDK) ka reaguar ndaj vendimit për diskutim të çështjes së lëndimit të nxënësve. Ndërsa Suzana Muriqi(LDK) nuk është lejuar të flasë për këtë çështje. Madje në shenjë pakënaqësie subjekti i saj edhe e ka lëshuar seancën e Kuvendit. Ndërsa, në një konferencë për media të LDK-së ajo ka akuzuar kryesuesen e Kuvendit se nuk ia dha fjalën.
“Nuk pata mundësi me e shpreh atë që deshta, sepse nuk mu leju nga Kuvendi. Çka bëri Komuna, çka bëri Drejtoria e kulturës…, çka bëri Policia për këtë rast?”, ka thënë Muriqi.
Edhe policia u akuzua se nuk kreu punën e saj si duhet. Por zyrtarë policorë thonë se ky institucion e kreu punën siç duhet.
“Kemi intervistuar një grup që ka qenë dëshmitar në vendin e ngjarjes por deri më tani nuk ka pasur të dyshimtë. S’ka fajtorë, e policia e kreu punën siç duhet, në përputhje me rrezikshmërinë”, ka thënë Xhevat Ibra, zëdhënës rajonal i Policisë së Pejës, duke vlerësuar se nuk ishte paraparë nivel i lartë i rrezikshmërisë.
Por nxënësja e shkollës fillore “ Lidhja e Prizrenit ”, E. M., që kishte qenë në vendin e ngjarjes, i ka thënë gazetës se policia nuk i kishte hapur portat, duke reaguar tek pasi që është krijuar tollovia.
“E kanë bllokuar hyrjen dhe e kanë hapur vetëm një derë. Ata nuk e kanë mbajtur rendin si duhet, madje kur ka reaguar një nxënës, një polic e ka goditur ”, ka thënë ajo. Zëdhënësi i koncertit humanitar, Valdrin Daci, ka thënë se policia nuk ka ardhur me kohë dhe nuk ka reaguar siç duhet.
“Kemi njoftuar policinë me kohë, na e kanë konfirmuar ardhjen, por ata kanë ardhur në orën 13:05, e koncerti ka qenë i paraparë të fillonte në orën 13:00. Në këtë kohë kur kanë ardhur polica ballkoni i palestrës ka qenë i mbushur plot, e derisa kanë hapur një portë ka ndodhur ngjarja ”, ka thënë Daci./Indeksonline/