Askush s’paguan tatim për qiratë

Qiramarrësit e ndërtesave dhe lokaleve po i shkaktojnë humbje të mëdha buxhetit të Kosovës. Pronarë banesash dhe lokalesh, të cilat i lëshojë me qira, pothuajse nuk paguajnë fare tatimin prej 10 për qind, raporton ktv. Kjo mungesë e vetëdijesimit të tyre me vite të tëra po i shkakton humbje të mëdha buxhetit të Kosovës. Sami Salihu thekson se nuk mund të flasin si administratë se çfarë shume mjetesh i humb ATK-ja nga mospagesa e kësaj kategorie të tatimpaguesve, ngase, sipas tij, ka mungesë të statistikave të sakta të qiramarrësve.
Ata që po e shkaktojnë krejt këtë nuk pranojnë të flasin para kamerave se përse veprojnë në këtë mënyrë, derisa thonë se nuk ia vlen të paguhet kur shumica nuk paguan tatimin në këtë fitim, raporton koha. Zyrtarë të Administratës Tatimore megjithëkëtë shprehen të bindur se ka rritje të numrit të atyre që kanë nënshkruar kontrata dhe e paguajnë shumën e caktuara që u takon. Derisa për të papërgjegjshmit tashmë kanë shqiptuar edhe gjoba, duke u munduar kështu t’i vënë në binar gjërat./Indeksonline/