E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjetet piroteknike shkaktuan zjarre

Në komunën e Podujevës të enjten ka pasur 11 raste të shpërthimit të zjarreve, kryesisht djegie të ushqimit të bagëtive dhe hamulloreve.

Shërbimi i Zjarrfikësve dhe i Shpëtimit në Komunën e Podujevës gjatë ditës së Fitër Bajramit, të enjten, ka pasur mjaft punë duke intervenuar në 11 raste për shuarjen e zjarreve, të shkaktuara kryesisht nga pakujdesia.

“Të enjten kemi intervenuar në 11 raste për shuarjen e zjarreve, që kishin përfshirë ushqimin e thatë të bagëtive dhe hamulloret. Shpërthimi i zjarreve kryesisht ka ndodhur si shkak i përdorimit të mjeteve piroteknike nga ana e fëmijëve me rastin e festës së Bajramit. Njësitet tona kanë reaguar me kohë në shuarjen e zjarreve dhe parandalimin e zgjerimit të tyre”, tha shefi i SHZSH-së Milaim Ajvazi.

Ajvazi tha se përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë festave të Bajramit është një dukuri shqetësuese, e cila përveç rrezikut për lëndime trupore po shkakton edhe shpërthimin e zjarreve.

Ai apeloi te qytetarët dhe bujqit që të kenë kujdes dhe të mos djegin hamulloret, sepse djegia e tyre në shumë raste bëhet në mënyrë të qëllimshme, gjë që është e ndaluar edhe me ligj./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›