E Diel, 1 Nëntor 2026

Asllan Patrioti: Gjykata të më lirojë, ose do djeg veten

Asllan Patrioti dje në banesën e tij në Durrës

DURRES/ Ish-i përndjekuri: Arrestimi politik. Duhet të punoj për të mbajtur familjen.

Asllan Patrioti kërcënon: Afat deri të hënën në mesditë.

Ish-koordinatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë, Asllan Patrioti, ka kërcënuar se do të ndjekë shembullin e dy bashkëvuajtësve të tjerë, duke u vetëdjegur me benzinë.  Ai është kundër vendimit që Gjykata ka vendosur për të, duke e lënë në arrest shtëpie, ndërsa qëndron në të njëjtën linjë, duke mos pranuar të marrë as këstin e dytë të parave që i takojnë si ish-i burgosur. Patrioti ka vendosur një afat deri ditën e hënë, dhe nëse nuk merr një përgjigje pozitive për problemin që e shqetëson, ai do të spërkasë trupin e tij me benzinë dhe më pas do t’i vërë flakë vetes. Sipas Patriotit, ky vendim ka ardhur për shkak të vendimit të padrejtë të Gjykatës së Apelit, e cila e ka lënë të enjten me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. “Vendimi që Gjykata ka vendosur për mua nuk është i drejtë, pasi unë jam një kryefamiljar dhe duhet të punoj për të mbajtur familjen time. Nuk e meritoj të qëndroj në arrest shtëpie, për një krim që nuk e kam kryer. I gjendur me shpatulla pas murit dhe duke mos pasur asnjë fije shprese, kam vendosur që t’i jap fund jetës duke u vetëdjegur me benzinë, ashtu siç bënë edhe dy bashkëvuajtësit e mi, Liraku dhe Gjergj Ndreca. Afati është deri ditën e hënë, nëse nuk merret asnjë masë për zgjidhjen e problemeve që këtë shtresë e shqetësojnë, mesditën e së hënës do të vetëdigjem”, deklaroi Patrioti, i cili e konsideron arrestimin e tij rreth 1 muaj më parë për motive politike. Ai u prangos ndërsa vazhdonte greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë, me akuzën e mashtrimit dhe kërcënimin e një shtetasi italian për t’i marrë 700 euro. Ish-koordinatori nuk pranon gjithashtu të marrë as këstin e radhës së dëmshpërblimit. Patrioti tha se nuk do të paraqitet të marrë paratë e këstit të dytë që qeveria ka akorduar për këtë shtresë, pasi sipas tij, qeveria kërkon t’i manipulojë duke u dhënë një pjesë të parave që u takojnë. “U dashka që të vdesë dikush që qeveria të mendohet se jemi edhe ne? Sali Berisha e ka shumë gabim që tallet me ne. Më në fund, pas gjithë kësaj rrëmuje, u menduan që të na japin një pjesë tjetër të parave që na takojnë për vitet e burgut që kemi bërë në monizëm. Në listën me emrat e të përndjekurve që përfitojnë ishte edhe emri im. Pas shumë vitesh, ky është kësti i dytë që qeveria ka dhënë për ne të përndjekurit. Por, sigurisht, ne nuk mund të gënjehemi sërish. Shpërndarja e këtij kësti është e qëllimtë, që kjo shtresë të qetësohet, pasi prish mjaft plane të qeverisë dhe individëve të pushtetshëm. Por, këtë radhë loja e tyre u kuptua. Nuk pranoj të marr paratë e këstit të dytë, deri në momentin që qeveria do të na likuidojë një herë e mirë”, përfundoi Asllan Patrioti.

Policia rrethon banesën e Patriotit
Menjëherë pasi Patrioti deklaroi se do të merrte aktin ekstrem të vetëdjegies, banesa e tij, që ndodhet në katin e dytë të një pallati në lagjen Nr. 13, por edhe zona përreth, u blindua nga forca të shumtë të Policisë së Durrësit. Pasi ka dëgjuar për vendimin e Patriotit, në shtëpinë e tij kanë mbërritur koordinatori tjetër i grevës së urisë së të përndjekurve, Skënder Tufa, i cili i ka dalë në mbështetje dhe ka deklaruar se situata është mjaft e tensionuar dhe se mund të ketë të tjera viktima. Tufa kërkoi nga autoritetet shtetërore që të ndërhyjnë përpara se të derdhet gjak tjetër nga të përndjekurit.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›