E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmet, kaçavidë ndaj kryetarit të Bashkisë

Gilberto Jaçe, kryebashkiaku i Përmetit

Policia arreston 45-vjeçarin në gjendje të dehur.

PERMET – Një ish-punonjës i administratës bashkiake të Përmetit tenton të godasë me kaçavidë kryetarin e bashkisë, Gilberto Jaçe. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të premtes, kur Nesti Janku, 45 vjeç, ka pritur momentin ideal, për të kryer veprimin që për të është përgjigjja më e mirë ndaj të parit të qytetit, pasi ky i fundit e ka pushuar nga puna një vit e gjysmë më parë. Prezenca e një punonjësi policor në momentin e sulmit ka shmangur lëndimin e kryebashkiakut përmetar, i cili përgjatë javëve të fundit është ndier i kërcënuar nga i arrestuari 45-vjeçar, deri para një viti, shoqërues i ish-kryebashkiakut demokrat të Përmetit, Edmond Komino. Për gazetën “Panorama”, kryetari i Bashkisë, Gilberto Jaçe, shprehet se ngjarja e djeshme është pasojë e një veprimi të kryer afro një vit e gjysmë më parë, kur Janku është shkarkuar nga puna, si rrjedhojë e suprimimit të vendit të punës në administratë. Heqjen nga puna Janku nuk e përtypi dot dhe herë pas here, përgjatë një viti, sa herë që ndeshej me kryetarin e Bashkisë në rrugë apo në zyrë, e ofendonte, kanoste dhe kërcënonte në prezencë të të tjerëve. Jaçe gjithmonë ka shmangur përplasjet direkte me 45-vjeçarin, i cili në mjaft raste ka qenë i alkoolizuar. “Kam dashur mos ta denoncoj pasi jemi qytetarë të një qyteti të vogël dhe gjithmonë kam shpresuar që ai të ndërgjegjësohet për veprimet që kryente, por rasti i djeshëm i kaloi caqet e duhura dhe nuk kishte më vend për qetësi, pasi u kanosa direkt për jetë”, u shpreh kryebashkiaku. Janku, tejet i alkoolizuar, ka tentuar të qëllojë madje edhe policin që parandaloi ngjarjen që mund të kishte pasojë, dhe për këtë u shoqërua në Komisariatin e Policisë. Pas veprimeve procedurale, 45-vjeçari u arrestua për akuzat e “kanosjes për shkak të detyrës”, “fyerje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim të forcave policore”. Janë këto tri vepra penale, me të cilat shoqëruesi i ish-kryebashkiakut përmetar do të përballet në procesin gjyqësor. Gjatë marrjes në pyetje, disa orë më vonë, Janku ka pranuar se ka qenë i dehur, ndërsa veprimet e mëparshme i ka argumentuar se lidheshin me vendin e punës. “Nuk e përsëris më”, është shprehur 45-vjeçari, duke kërkuar të lirohet.                   p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›