E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë aktivitet në ditën botërore të shëndetit mendor

Çdo aktivitet në lidhje me përkujtimin e të sëmurëve mendorë do të mbahet përgjatë ditës së hënë duke fshirë nga kalendari datën 10 tetorin që OBSH e ka vendosur të përkujtohet botërisht. Por ministria e shëndetësisë ka shtyrë afatin kohor duke e përkujtuar me datë 13 tetor.

Në vendin tonë nga të dhënat e një studimi të përgjithshëm, rezulton se rreth 10 për qind e popullsisë ka probleme të depresionit, ndërsa 0.5 për qind të skizofrenisë, duke i bërë kështu mjaft imediate dhe të nevojshme politikat dhe ndërhyrjet konkrete në këtë fushë.

Aktualisht, vendi ynë ka spitale psikiatrike, të përqendruara në rrethet Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë, me një total prej 840 të shtruar, në një kohë kur vendet e tjera kanë përparuar mjaft lidhur me shtrirjen e shërbimeve komunitare, të cilat janë provuar se ofrojnë një cilësi më të mirë shërbimi dhe jete. Aktualisht, në qytetin e Tiranës funksionojnë tre qendra komunitare të shëndetit mendor.

Pjesa më e madhe e popullatës merr shërbime për sëmundjet apo çrregullimet e rënda kryesisht nëpër spitalet psikiatrike, kurse aksesi i popullatës në përgjithësi mbetet i ulët. Ndërsa sigurimi brenda një periudhe të shkurtër i shërbimeve komunitare për pacientët kronikë, që aktualisht qëndrojnë në spitalet psikiatrike, synon reduktimin e shtretërve spitalorë dhe zgjerimin e aksesit për popullatën që realisht ka nevojë për shërbime spitalore në fazat akute të sëmundjes.

Sipas raportit të OBSH-së, rreth 450 milion njerëz në botë vuajnë nga çrregullimet mendore dhe neurologjike, ose nga problemet psikosociale të lidhura me abuzimin me drogat dhe alkoolin. OBSH përllogarit se rreth 10 për qind e njerëzve në botë vuajnë nga forma të ndryshme depresioni, por vetëm 1 e treta e tyre i nënshtrohen ndonjë një trajtimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›