E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë cent për mbrojtjen e dëshmitarëve

Proceset gjyqësore në Kosovë do të vazhdojnë të atakohen nga mungesa e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Ligji në fuqi parasheh që Ministria e Punëve të Brendshme të formojë një drejtori, e cila do të udhëheqë procesin e akomodimit dhe mbrojtjes së dëshmitarëve. Por, as kjo ministri e as kryeprokurori i shtetit që udhëheq Komisionin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve nuk e dinë se kur mund t’u ofrojnë mbrojte dëshmitarëve përmes segmenteve që parashihen me ligj.

Asnjë cent të vetëm nuk ka ndarë as sivjet Ministria e Punëve të Brendshme rreth formimit të programit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Sipas ligjit në fuqi që rregullon këtë çështje kjo ministri është e obliguar që të themelojë drejtorinë për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ilhami Gashi ka thënë është kjo do të duhet të jetë çështje e policisë së Kosovës. Megjithatë, bazuar në buxhetin e kësaj ministrie dhe skemën buxhetore të policisë për këtë vit, shihet se asnjëra nuk përfshin asgjë rreth kostos së këtij programi.

Ndërsa, kryeprokurori i shtetit Ismet Kabashi, i cili kryeson Komisionin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve nuk ka dhënë ndonjë sinjal se mbrojtja e dëshmitarëve mund të ketë më shumë vëmendje këtë vit, raporton RTK. 

Në përgjigjen përmes postës elektronike, Kabashi ka thënë se krejt çka mundet të bëjë aktualisht në raport me problemin e dëshmitarëve është t’i kërkoj EULEX-it përfshirjen e ndonjë dëshmitari në programin e këtij misioni për siguri të dëshmitarëve.

“Unë kam caktuar prokurorin përkatës si pjesë e grupit për hartimin e akteve nënligjore. Megjithatë, gjërat e tjera nuk janë në kompetencë të kryeprokurorit”, ka thënë Kabashi.

Ndërsa, nga misioni i EULEX-it kanë dhënë sërish përgjigjen e zakonshme se janë në gjendje t’u ofrojnë siguri dhe mbrojtje dëshmitarëve, ndonëse, pothuajse e kundërta është treguar në praktikë.

Çështja e trajtimit të dëshmitarëve, sipas Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vazhdon edhe më tej të tregojë se ka shumë jo seriozitet rreth këtij problemi.

“Ky joseriozitet ka treguar se dëshmitarët në Kosovë jo vetëm që të mos i ofrohen këtij sistemi drejtësie për të dëshmuar, por të trishtohen e të largohen prej tij . Ata shpejt janë zbuluar, janë vrarë ose janë detyruar të bëjnë vetëvrasje siç ka ndodhur”, ka thënë Musliu.

Deri më tani, sipas raporteve të ndryshme, llogariten se janë vrarë së paku 12 dëshmitarë të mbrojtur që i përkisnin proceseve të ndryshme gjyqësore në Kosovë dhe Tribunal të Hagës. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›