E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë trupë pjesëmarrëse nga Shqipëria

08/07/2009  Festivali i 10-të i Butrintit “përgjysmim” me pesë shfaqje

Festivali ndërkombëtar i teatrit mbërrin në edicion e tij të dhjetë. Por ndryshe nga ç’ishte pritur, ky përvjetor nuk do të ketë ndonjë program të veçantë apo ceremonira madhështore. Madje, festivalit këtë vit, ashtu si dhe ka ndodhur shpesh në edicionet e mëparshme do t’i mungojnë edhe shfaqjet nga Shqipëria. Madje, nëse muaj më parë ishte nënvizuar se 10-vjetori i festivalit “Butrint 2000” do të përcillej edhe për një lloj simbolike me 10 shfaqje teatrore, numri i tyre është përgjysmuar.

Do të jenë vetëm pesë shfaqje të përzgjedhura për programin e këtij viti. E para do të ngjitet në skenën e hapur teatore të Butrintit mbrëmjen e 12 korrikut e të tjerat do të vijnë edhe për katër net me radhë.

Arsyeja e kësaj “rrudhosjeje” të programit të festivalit, ashtu si tanimë, ka filluar të bëhet e zakonshme për të është buxheti i pamjaftueshëm. Siç bëjnë të ditur organizatorët Ministria e Kulturës e ka mbështetur festivalin me 6 milionë lekë të reja. Realizuesve iu është dashur të kthejnë mbrapsht shfaqje si "Makbethi” i trupës bullgare, "Rikardi i tretë" i teatrit “Kulandra” të Bukureshtit apo "Trojanet" e Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Përpara se trupat të ngjiten në skenë, shfaqjet teatrore do të paraprihen më 11 korrik me një mbrëmje festive. Në këtë natë do të shfaqet edhe një dokumentar kushtuar 10-vjetorit të festivalit, me muzikën e interpretuar nga "Imperial Kuintet", që vjen nga Korfuzi bashkë me kompozitorin e njohur shqiptar Vladimir Kotani, që prej vitesh jeton në Greqi. "Pasioni i grave trojane", një shfaqje nga Leçe e Italisë, version krejt tjetër i veprës së Euripidit çel festivalin. Shfaqja e dytë vjen nga Athina dhe është një kompani nga më të njohurat e dance teatrit “Politistiko Somateio Roes”, me shfaqjen “Elektra”. “Fedra” e Rasinit përfaqëson trupën nga Kosova, si një bashkëpunim i “Dodona dhe Sythi”. Për herë të parë vjen edhe një trupë turke me veprën "Dervishi dhe vdekja", me dramatizim të Nebojsa Bradiç dhe regji të Nurullah Tuncer. “Himni i himneve”, një himn religjioz, bashkëprodhim mes Francës dhe Rumanisë do të përmbyllë edicionin e dhjetë të “Butrint 2000” më 16 korrik. Sipas drejtorit të festivalit, Alfred Bualoti mungesa e shfaqjeve shqiptare shpjegohet me cilësinë e ulët të shfaqjeve tona, që për më tepër nuk i përshtaten asaj që kërkon skena e Butrinit edhe në përmasa.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›