E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohet me 20 ditë burg nëna që braktisi fëmijët

08/07/2009  Iu konvertua gjoba, nuk e pagoi

ELBASAN-Gjykata e Elbasanit ka marrë vendimin për ta konvertuar gjobën që i kishte vendosur një nëne për braktisje fëmijësh në burg. Ky konvertim ka ardhur pasi gruaja s’kishte mundësi ta paguante gjobën që i kishte vënë gjykata dhe kjo e fundit pasi ka marrë këtë vendim të rikthyer nga Përmbarimi ka vendosur ta konvertojë gjobën në 20 ditë burg. Kështu rreth orës 15.00 të ditës së djeshme u bë ndalimi i shtetases Majlinda Jolla, 38 vjeç, lindur në Belësh dhe banuese në Dëshiran ku edhe ishte martuar. Gruaja ishte e shpallur prej kohësh në kërkim policor pas denoncimit të bashkëshortit të saj për braktisje fëmijësh. 38-vjeçarja është rasti i parë që përfundon me dënim nga gjykata pas shumë rasteve të regjistruara për braktisje fëmijësh sidomos vitet e fundit. Në fakt pasi janë paraqitur në polici gratë kanë deklaruar se kanë qenë të dhunuara dhe nën presionin e vazhdueshëm të burrit dhe prandaj janë larguar nga shtëpia. Por bashkëshorti ka gjetur një rrugë për t’u hakmarrë kur fëmijët kanë qenë të vegjël. Ekzistenca e një vepre penale të tillë ka bërë që të nisë procedimi pas denoncimit për shumë gra, të cilat kanë lënë shtëpinë dhe kanë shkuar pranë familjes së tyre ose janë fshehur tek të afërmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›