E Diel, 1 Nëntor 2026

Asociacioni i komunave serbe, autonomi për serbët e Kosovës

Krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë do të thotë autonomi për serbët e Kosovës dhe dëmtim i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Kështu tha për Radio Kosovën njëri ndër ekspertët e të drejtës kushtetuese, profesori Riza Smaka. Ai tha se madje edhe rezoluta 1244 ka qenë më e favorshme për shtetin e Kosovës sesa dokumenti Ahtisari në bazë të të cilit është hartuar kushtetuta e vendit tonë.

Eksperti i të drejtës kushtetuese Profesori Riza Smaka tha për Radio Kosoven se e sheh me shumë skepticizëm përfundimin e dialogut Kosovë - Serbi dhe marrëveshjet eventuale që mund të arrihen lidhur me pjesën veriore të Kosovës.Sipas tij komunat serbe të krijuara artificialisht, praktikisht e gëzojnë një autonomi brenda shtetit të Kosovës, por që legalizimi i një asociacioni të tyre do të thotë autonomi e ngjashme me Republikën serbe në Bosnjë Hercegovinë.

“Sipas atij dokumenti e në atë dokument mbështet Kushtetuta jonë, praktikisht komunat serbe që janë krijuar artificialisht e gëzojnë një status të autonomisë poqe se do bëhej autonomia politike e komunave serbe, Kosovë nuk do kishim ma, absolutisht nuk do të meritonte të quhej Republikë, shtet sepse nuk do të ishte shtet”, tha Smakaj.

Profesori Smaka tha madje se edhe rezoluta 1244 ka qenë më e favorshme sepse e njeh Kosovën si tërësi dhe të pandarë.
Smaka i ka quajtur kërkesat serbe kërkesa hegjemoniste ndërsa tha se strukturat serbe në veri nuk janë paralele por janë unikate pasi ato janë formuar dhe dirigjohen nga Serbia. Shi për këtë legalizimin e këtyre strukturave ai e quan amnistim për kriminelët serbë. Me krijimin e një gjendjeje të tillë subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës do të dëmtohej rëndë”, tha Smaka.

“Subjektivitet diskutabil, shumë të ndjeshëm, të brishtë dhe problematik.A do të kishte a nuk do të kishte, sepse nuk është fjala për një autonomi të tipit klasik por kjo do të ishte e lidhur direkt me Serbinë”, tha Smaka.

E duke folur për marrëveshjen për krijimin e një fondi të veçantë për zhvillimin ekonomik të veriut Smaka tha se kjo do ta dëmtojë rëndë buxhetin edhe ashtu shumë të varfër të Kosovës. Smaka nuk e sheh këtë si zgjidhje për të joshur serbët e veriut për integrim në Institucionet e Kosovës por përkundrazi favorizim të tyre në dëm të interesave të komunitetit shumicë dhe të vet shtetit të Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›