KGJK po pret të ketë ndonjë zgjidhje politike rreth veriut

Këshilli Gjyqësor i Kosovës po pret të ketë ndonjë zgjidhje politike rreth veriut. Për këtë arsye nuk ka menduar ndonjë zgjidhje për selinë e Gjykatës Themelore të Mitrovicës që ekziston në territorin e Komunës veriore të Mitrovicës e cila pritet të themelohet. Ndërkaq në planin e qeverisë për themelimin komunës së Mitrovicës veriore asnjë gjë nuk thuhet sa i përket çështjes së gjykatave.
Themelimi i zyrës administrative në veri dhe ndarja e përgjegjësive që ka bërë qeveria në pushtetin lokal në veri të Mitrovicës nuk po i mjaftojnë akoma Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Pushteti gjyqësor vazhdon ta konsideroj territorin e Mitrovicës si unik dhe për këtë arsye e ka lënë që Gjykatat Themelore të mbetet në veri e cila bie në territorin përcaktuar për komunën e re . Kreu i këshillit Gjyqësor Enevr Peci thotë se ligji për organizmin e gjykatave nuk ka paraparë të ketë Gjykatë themelore as degë të saj në komunën veriore të Mitrovicës. Për më tepër sipas Pecit juridikisht në veri nuk ka komunë të themeluar.
“Ajo është vetëm një zyrë dhe nuk është komunë e themeluar. Ligji për organizmin e gjykatave i ka përcaktuar taksativisht qendrat dhe degët e gjykatave themelore dhe ne ashtu kemi vepru . Pra qendra është aty ku ka qenë në Mitrovicë ku edhe janë duke punuar gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-i”, i ka thënë Peci Radio Kosovës.
Sipas kësaj Gjykata themelore e Mitrovicës së jugut do të vazhdoj të mbetet aty ku ligjërisht është territor i Komunës së Mitrovicës së veriut i përcaktuar me Pakon e Ahtisarit.
Ndërsa kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës Kada Bunjaku thotë se aktualisht nuk ka ndonjë zgjidhje për gjykatën e cila punën kryesore po e kryen në Vushtrri. Ajo thotë se po presin që të kthehen në ndërtesën në veri.
“Gjykata Themelore në Mitrovicë është ajo që ne po punojmë në Vushtrri. Me ligjin për gjykatat ne atje (në veri) e kemi vendin dhe atje po presim të kthehemi”, ka thënë Bunjaku për Radio Kosovën.
Ligji mbi organizmin e Gjykatave ka paraparë Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe degët e saj në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Skenderaj. Ky ligji parasheh edhe mundësinë e themelimit të degëve të reja. Por, Këshilli Gjyqësor konsideron se nuk është koha e duhur të planifikohet një degë e tillë për Mitrovicën e veriut./Indeksonline/