Assange Wikileaks nuk jam vetem une jemi shume
“Wikileaks” përballet me një hetim “shumë agresiv” dhe “të fshehtë” nga ana e autoriteteve amerikane të tronditura nga humbja e autoritetit prej materialeve diplomatike të publikuara në sajtin e organizatës së drejtuar nga Julian Assange. Këto janë deklaruar nga vetë Assange dje një ditë pas lirimit me kusht nga burgu londinez, ku mbahej për akuzat e përdhunimit të femrave në Suedi. Në një fjalë të mbajtur para gazetarëve në shtëpinë ku do të qëndrojë gjatë kësaj periudhe, Assange tha se “‘Wikileaks’ po përballet me një hetim të paligjshëm. Njerëz që janë pranë nesh janë burgosur, u janë marrë kompjuterë e të tjera si këto”, ka vazhduar Assange. Ai tha se besonte se kishte 80% mundësi që autoritetet amerikane të ishin duke përgatitur një tentativë për ta ekstraduar Assange për akuza spiunazhi. Ai shtoi se do të ishte për të ardhur keq që një superfuqi si Amerika vepron jo në bazë të ligjeve dhe rregullave. “Unë do të thosha se është një hetim shumë agresiv”. Ai kritikoi mënyrën me të cilën autoritetet suedeze u përpoqën që ta ekstradonin në Suedi për t’u përballur me akuzat e natyrës së abuzimeve seksuale, kjo ishte dhe arsyeja që ai qëndroi në gjyq për 10 ditë. “Kjo është një situatë që duhet të monitorohet dhe për më tepër suedezët nuk kanë dhënë asnjë lloj prove të vetme për të më mbajtur të mbyllur, apo për të më akuzuar”. Sipas tij, të gjitha përpjekjet aktuale të organizatës janë vënë në shërbim të përballimit të sulmeve të mëdha ndaj saj përfshi edhe atyre të natyrës teknike. “Rreth 85% e burimeve tona ekonomike po shpenzohet për sulmet që na bëhen, sulme ekonomike, politike, ligjore. Ky është një sulm ndaj gazetarisë investigative”, ka deklaruar Assange. Ai ka shprehur edhe shqetësimin e tij për mundësinë e ekstradimit në Shtetet Bashkuara të Amerikës: “Ka pasur shumë thirrje nga figura të larta politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfshi edhe senatorë që kanë bërë thirrje për ekzekutimin tim, për grabitjen e stafit tim dhe ekzekutimin e ushtarit të ri Bradley Manning dhe një fakt i tillë është shumë i rëndë”. Ai ka thënë se pavarësisht asaj çka mund t’i ndodhë atij, “Wikileaks” do ta vazhdojë misionin, sepse “Wikileaks” është një organizatë e madhe.