E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE Mekanizem i perhershem antikrize

Liderët e organizatës, të gatshëm për çdo gjë për shpëtimin e euros

Liderët e shteteve të vendeve të BE-së në Samitin e BE-së, që po zhvillon punimet në Bruksel, kanë rënë dakord për krijimin e mekanizimit permanent për krizat në eurozonë. “Ne kemi marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e euros. Nga njëra anë kemi rënë dakord për një mekanizëm permanent krizash. Kjo është e rëndësishme, sepse me këtë ne marrim përsipër detyrimin të sigurojmë stabilitetin e euros në tërësi. Dhe ky është një detyrim i të gjitha shteteve të eurozonës. Për këtë ishte e nevojshme një ndryshim i vogël i marrëveshjes së BE-së. Edhe për këtë ramë dakord”. Kështu është shprehur Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Samitin dyditor të BE-së që po zhvillon punimet në Bruksel. Pra samiti nga njëra anë vendosi për një mekanizëm permanent krizash nga viti 2013, ashtu siç e kishte kërkuar Berlini, nga ana tjetër ndryshoi marrëveshjen e Lisbonës, në mënyrë që mekanizmi i krizave të jetë i pakontestueshëm nga ana ligjore. Përveç kësaj, në të ardhmen do të ketë një afrim më të madh të politikave ekonomike të 27 vendeve të Bashkimit Europian. "Kjo është një ditë e mirë për Europën!" tha Kancelarja Merkel në përfundim të ditës së parë të Samitit. Ekziston vullneti politik për të bërë atë që është e nevojshme. Samitin e vlerëson edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy: "Shtetet anëtare që kanë si monedhë euron, mund të krijojnë një mekanizëm stabël, i gatshëm për t'u aktivizuar, për të ruajtur stabilitetin e zonës së euros, po qe se është e pashmangshme, pra dhënien e çdo lloj ndihme financiare dhe në kushte strikte". Uniteti europian për të mbrojtur monedhën e përbashkët vërtet përcakton tonin e samitit, megjithatë solidariteti europian do të ketë kufij. Ky mekanizëm do të futet në veprim vetëm në rast se e gjithë zona e euros rrezikohet. Ministri austriak i Financave, Josef Proll, e cilëson sukses ngritjen e mekanizimit permanent për krizat. "Ajo që është arritur këtu është vërtet një gjë e madhe. Ne i treguam botës që Europa di të bashkohet dhe të vërë në rrugën e duhur gjërat e duhura". Proll pret që me këtë hap tregjet financiare të qetësohen. Por nëse këto masa janë të mjaftueshme, presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, vlerëson kështu: "Mendoj se përgjigjja e rëndësishme që shefat e shteteve dhe qeverive kanë dhënë është: Ata do të bëjnë gjithçka, gjithçka që të sigurojnë stabilitetin e euros". Në Samit nuk u ra dakord për zgjerimin e ombrellës së shpëtimit, aktualisht e pajisur me një shumë gjigante prej 750 miliardë eurosh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›