Assange rrezikon dënimin me vdekje

Avokatët e Julian assange, themeluesit të Wikileaks, japin alarmin përsa i përket pasojave që mund të ketë ekstradimi i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse ekstradohet në Amerikë, Asange mund të jetë subjekt i dënimit kapital- pohuan avokatët e tij përpara gjykatës Londineze. Ata citojnë ish kandidatin republikan për president të SHBA-së, Mike Huckabee dhe ish guvernatoren republikane të Alaskës, Sarah Palin, sipas së cilëve, "fajtorët e publikimit të materialeve sekrete duhet të dënohen me vdekje me akuzën për tradhëti”. Sipas avokatëve, nëse Julian Assange do të ekstradohet në Suedi atëherë një veprim i tillë do t`i hapë rrugë dërgimit në burgun famëkeq të Guantanamos ose dënimit me vdekje. Ky është njëri prej argumentimeve juridike të formuluara nga avokatët e Assange pjesë e kundërshtimit të ekstradimit që do t`i paraqitet gjykatës në seancën e 7 shkurtit.
Sipas avokatëve menjëherë pas ekstradimit në Suedi, SHBA mund të kërkojnë një ekstradim ose rrëmbim të jashtëligjëshëm duke e dërguar në Guantanamo Bay në Kubë ose diku tjetër.
Dokumenti hartuar nga avokatët mbrojtës, përbëhet nga 35 faqe. Në të trajtohen më së shumti të drejtat e njeriut që shkelen, nëse ekstradimi lejohet dhe në vecanti analizohet frika e mos dhënies së garancive nga Amerika për mos ta dënuar atë me vdekje.
Gjykatësi Anthony Evans më 7 dhe 8 Shkurt do të dëgjojë palët për të dhënë vendimin disa javë më pas. Julian Assange pas përfundimit të séances të së martës deklaroi se ishte i vendosur të vazhdonte publikimin e te dhënave dhe informacioneve të diplomacisë amerikane.
Ekstradimi i Assange do të jetë një sagë më vete pasi nëse gjykatësi Evans lejon ekstradimin ish-hakeri australian ka të drejtën e apelit në Gjykatën e Apelit, atë Supreme në Angli përfshi Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut në Strasburg.