“Atakimi i marrëveshjes, sulm që i bëhet interesave të Shqipërisë”

Kuvendi, diskuton për marrëveshjen detare me Greqinë
Seanca plenare në Kuvend dje, nisi me një debat të lirë rreth marrëveshjes detare me Greqinë për delimitimin e hapësirave detare, e cila kohët e fundi ka ngjallur debate në opinionin publik. Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla, lidhur më këtë situatë dhe duke iu përgjigjur shqetësimit të opozitës, tha se ajo është në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe konventën detare. Sipas tij, atakimi që i bëhet marrëveshjes nga opozita godet së pari interesat strategjike dhe ekonomike të vendit. "Atakimi që i bëhet kësaj marrëveshje është një sulm që i bëhet interesave të Shqipërisë. Vendosja e kufijve detarë është një element i rëndësishëm strategjik për sigurinë kombëtare", tha deputeti Metalla.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu i ka bërë apel opozitës të kthehet në Kuvend duke theksuar se PD-ja nuk trembet nga hapja e kutive. Shehu në seancën e djeshme plenare ka theksuar gjithashtu se kërkesa e opozitës për hapjen e kutive është në shkelje të ligjit. Sipas tij hapja e kutive godet vendimet e institucioneve të vendit si , KQZ, Gjykata e Apelit dhe sjell destabilitet. Shehu gjithashtu shtoi se procesi zgjedhor është i tejkaluar dhe se të kthesh kokën prapa është të rrezikohet e ardhmja. Shehu gjithashtu theksoi se kolegët e opozitës duhet të kthehen dhe të shohin të ardhmen.
Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, në diskutimin e saj për këtë çështje tha se asgjë reale nuk ka cënuar tërësinë e kufijve tanë.
"Sot, mund të pohojmë para qytetarëve se asnjë pëllëmbë tokë, det apo ajër i territorit shqiptar nuk i është falur dhe as nuk do i falet ndonjëherë fqinjëve apo aleatëve".
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, që vijojnë të bojkotojnë punimet e Kuvendit, deputetja Doda i ftoi ata që para atakimit të marrëveshjes, të vijnë në parlament dhe të kontribuojnë për reformat.
Marrëveshja dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për delimitimin e hapësirave detare dhe shefit kontinental me Greqinë u ankimua dy ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese nga gjashtë parti të opozitës.
Përfaqësues të Partisë Socialiste, partia më e madhe opozitare në vend, u shprehën se kërkesa vinte nga shqetësimi se marrëveshja ishte hartuar në mungesë të transparencës dhe në përllogaritje të gabuara hartografike.