Berisha: Nuk do të shkel Kushtetutën për tekat e Ramës. Kutitë nuk hapen

Tashmë hyrja e opozitës në kuvend nuk varet më nga askush tjetër veç kryetarit të Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë Sali Berisha ka deklaruar sot në mënyrë shumë të prerë se nuk ka ndërmend të shkelë Kushtetutën për tekat e një kryetari partie që as vetë nuk e di se çfarë kërkon me saktësi. Në këtë mënyrë për Ramën tashmë Berisha i ka mbyllur të gjithë negociatat e mundshme që kanë të bëjnë me kushtin për hapjen e kutive. “Unë nuk e kuptoj se ccfarë kërkon ai. Unë nuk kam ndërmend të shkel kushtetutën për tekat e tij, dhe për tekat e askusj tjetër. “Kërkesa për kutitë është e kundraligjshme, pasi ajo bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Kam dëshirë të plotësojë kërkesa e opozitës, por ato janë të jashtëligjshme” është shprehur kreu i qeverisë.
Por ndërkohë kjo deklaratë me sa duket është ndjekur me vëmendje të madhe nga ana e opozitës, ndaj akoma pa dalë kreu i qeverisë nga mbledhja e grupit, kryesocialisti Rama tashmë e kishte nisur kundërpërgjigjen e tij në distancë para mediave. “Nuk ka asgjë të jashtëligjshme për hapjen e kutive të votimit. Sali Berisha spekulon me shqiptarët. Ai spekulon për hapjen e kutive”, tha Rama. Madje Rama i merr të gjithë për të paaftë kur shton se kërkesa e tij për hapjen e kutive nuk ka lidhje fare me ankimin e rezultatit.
Po sot Rama mori edhe një goditje tjetër nga ndërkombëtarët, të cilët tashmë e neglizhojnë plotësisht. Këta të fundit vetëm pak orë më parë publikuan edhe raportin e tij, sipas të cilit, zgjedhjet i përmbushën standardet kryesore. E po ashtu një ditë më parë edhe PE me vetëm një votë kundër i hapi një tjetër dritë jeshile vendit tonë për liberalizimin e vizave të janar 2010. Kështu tashmë i humburi dhe braktisuri del qartë se cili është.
Gjatë takimit të përjavshëm me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha sqaroi pozicionin në lidhje me kërkesën e PS-së për hapjen e kutive të votimit.
Fjala e plotë e kryeministrit Berisha
“Ne respekt të plotë qoftë edhe të grupeve të vogla, por edhe të anëtarësisë së Partisë Socialiste në tërësi, unë dua sot këtu, para jush, të sqaroj në mënyrë përfundimtare pozicionin tim dhe tuajin ndaj kërkesës së përditshme të zotit Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, për hapjen e kutive të votimit.
Kryetari i Partisë Socialiste vendosi të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme lokale për shkak, sipas tij, të mosplotësimit të kërkesës së tij të përditshme për hapjen dhe rinumërimin e votave të zgjedhjeve të 28 qershorit. Me gjithë dëshirën e madhe që kam dhe që e kam faktuar në mënyrë të përsëritur, për të plotësuar kërkesat e opozitës, theksoj se kjo kërkesës është tërësisht e kundërligjshme, bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe për rrjedhojë, Kryeministri dhe qeveria nuk kanë në dorë as edhe një mekanizëm të vetëm ligjor për plotësimin e saj. Kjo, sepse kërkesa e zotit Rama për rinumërimin e kutive të votimit në qarqet Berat, Tiranë, Shkodër, Fier është hedhur poshtë si një kërkesë e pabazuar në ligj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por, ajo që është vendimtare, nga Kolegji Zgjedhor.
Zoti Rama, ndonëse kontrollonte shumicën e 50 përqind të komisioneve të të gjitha niveleve në mbarë vendin, me një total prej 20 mijë komisionerë dhe vëzhgues të Partisë Socialiste, nuk paraqiti dot as edhe një prove të vetme shkresore apo filmime në Kolegjin Zgjedhor nga i tërë sistemi i regjistrimit të numërimit të votave, për parregullsi në këtë numërim. Këtu qëndron edhe arsyeja pse të gjitha mandatet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u votuan 7 me 0 dhe pse Kolegji Zgjedhur hodhi poshtë kërkesat për rinumërim të votave, të paraqitura nga forcat politike. Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë si të pabazuar në ligj të gjitha kërkesat për rinumërim, sepse, siç thekson Kolegji në gjykimin e çështjeve, Kodi Zgjedhor në nenet 116, 118, nene të propozuara nga zoti Rama në Kodin e ri Elektoral, ka përcaktuar të drejtën e rinumërimit gjatë procesit të numërimit dhe vetëm mbi bazën e kontestimit të menjëhershëm të procesit të numërimit. Pra, vetëm atëherë kur ata që bëjnë numërimin nuk bien dakord. Kështu, Kolegji Zgjedhor në gjykimin e ankesave të partive, bazuar në ligjin zgjedhor, vendosi se përderisa nuk ka pasur kontestime, thotë Kolegji, nuk mund të ketë rinumërim. Pra, afirmon parimin se kur nuk ka mosmarrëveshje, nuk ka gjykatë. Kolegji Zgjedhor, në gjykimin e kërkesave për rinumërim, në interpretim të Kodit Zgjedhor, përcakton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të rinumërojë me proces ankimor vetëm votat e kontestuara dhe se kontestimi duhet të bëhej mbi një vlerësim jo unanim, që në momentin e rinumërimit. Për kërkesën e dy anëtarëve të KQZ për rinumërim, Kolegji konkludon se kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së vlerësohet si e paligjshme konceptualisht dhe në mungesë të rrethanave faktike, të nevojshme për këtë lloj kërkese. Me të drejtë, Komisioni Qendror i zgjedhjeve nuk ka pranuar këtë kërkesë të dy anëtarëve, vendos Kolegji Zgjedhor.
Kërkesa e zotit Rama është e paligjshme dhe antikushtetuese dhe ne nuk kemi mekanizëm që ta plotësojë. Kjo, sepse vërtet komisionet hetimore ngrihen sipas nenit 77 të Kushtetutës, si dhe ligjit nr. 8891, i miratuar në datën 2.5.2002, kur socialistët kanë qenë shumicë, por ky ligj përcakton në mënyrë eksplicite, në nenin 3 pika 4, se komisioni hetimor nuk mund të ushtrojë atributet e gjykatave. Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të 32 deputetëve të Partisë Socialiste, me vendimin nr. 18, datë 14.5.2003, interpretoi nenin 77 të Kushtetutës dhe e plotësoi me vendimin e saj, duke qartësuar kuptimin e tij në mënyrë përfundimtare. Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese e vendit sanksionon se marrëdhëniet ndërmjet gjyqësorit dhe pushteteve të tjera bazohet dhe orientohet kryesisht nga parimi i ndarjes së pushteteve. Gjykata vazhdon në vendimin e saj, se vendimet e gjyqësorit nuk mund të ndryshojnë nga autoritet tjetër, përveçse gjyqësori më i lartë dhe më tej Gjykata vijon se parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve përjashton çdo formë kontrolli mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave dhe se artikulimi i vlerësimeve mbi vendimet e gjykatave, vazhdon vendimi i saj, nëpërmjet raporteve të komisioneve hetimore parlamentare nuk është në përputhje me parimet kushtetuese të vendit. Gjykimi i ankimeve zgjedhore në rrugë gjyqësore është juridiksion vetëm i Kolegjit Zgjedhor, në Republikën e Shqipërisë. Partia Socialiste ka konsumuar të gjitha rrugët e apelimit dhe tani kërkon që ne të krijojmë një gjykatë të lartë për Kolegjin Zgjedhor, gjë, të cilën ne nuk mund ta bëjmë kurrë. Zoti Rama dje u tha shqiptarëve se po rinumërohen votat në Greqi dhe Afganistan. Jo, zoti Rama, votat janë rinumëruar edhe në Shqipëri, por që të gjitha, në Afganistan, në Greqi, në Shqipëri dhe kudo janë rinumëruar nga piramida e vlerësimit të zgjedhjeve. Shqipëria ka krijuar dy komisione të tjera parlamentare për zgjedhjet dhe në asnjë rast dhe rrethanë nuk kanë hapur qoftë edhe një kuti të vetme, sepse mbi kutitë rëndonte vendimi i gjykatave.
Zoti Rama është i lirë të protestojë në të katër anët e vendit dhe e siguroj se do të marr të gjitha masat për t’ia garantuar tërësisht protestat, por më mirë sesa të bëjë një kazus të tillë, le t’u thotë shqiptarëve se në cilin rast komisionet parlamentare janë ngritur mbi vendimet e gjykatave. Meqenëse iu referua Afganistanit, në Afganistan ka vendosur komisioni ndërkombëtar për vlerësimin e ankimeve. Greqia është brenda procesit të shqyrtimit të ankesave. Në cilin rast parlamenti i një vendi të lirë ka dalë mbi vendimin e gjykatës dhe ka marrë juridiksionin e gjykatës.
Dua ta mbyll me thirrjen që të bëjë një shqyrtim të qartë të akteve ligjore dhe kushtetuese të vendit, të thërrasë ekspertët më të mirë dhe Partia Socialiste ka ekspertë, të cilët kanë hartuar ligin zgjedhor dhe jo t’ia besojë avokat Ngjelës fatet e PS-së. Për ta ndihmuar zotin Rama dua t’i tregoj vetëm një moment, të mos ecë në gabimet e mia. Ia besova unë një herë këtë gjë dhe desh më ‘hodhi’ në erë të gjithë strategjinë time. E nisa avokatin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një proces zgjedhor. Atje e priti një personalitet ndër më kryesorët i Partisë Republikane dhe mik i imi, që punonte në Shtëpinë e Bardhë. Për ta nderuar e ftuan për drekë dhe ai i pyet: zotërinj, e njihni ju apo jo Xhefersonin. Ata panë njëri-tjetrin dhe i thonë po. Atëherë e dini ju, vazhdoi avokati, se Xhefersoni thotë se kur preket vota, rrëmbehen armët. Dhe ata e mbyllën diskutimin dhe më thanë se ç’është ky njeri që na ke dërguar këtu. Kështu që zoti Rama, me zotin Ngjela mund të themelosh kiss-in, pra, edhe një kiss bis, por t’i besosh atij avokatinë e PS-së, është absolutisht aventura më e madhe dhe fati më i zi i kësaj partie, qëkur bie në duart e Spartak Ngjelës.”
...