Atentat kundër policit rrugor, plumb në kokë në sy të djalit
Naim Hyskaj, oficer i policisë rrugore, është plagosur me një plumb në kokë, në kohën që po kthehej në shtëpi së bashku me të birin 11-vjeçar. Autori e ka pritur pranë shtëpisë dhe e ka qëlluar me një plumb, pa u stepur nga prania e fëmijës
Tiranë Një atentat kundër një punonjësi të policisë ka tronditur pasditen e djeshme kryeqytetin. Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me plumb në kokë efektivin e policisë, Naim Hyska, teksa 46-vjeçari po kthehej në banesën e tij i shoqëruar nga djali 11-vjeçar. “Më vranë babin”- ka qenë fraza që ka alarmuar gjithë lagjen pasditen e djeshme, kur D.Hyska, djali 11-vjeçar i punonjësit të policisë ka zbritur nga automjeti për të shkuar i tmerruar drejt shtëpisë. Të pranishëm në skenën e rëndë, fqinjët e oficerit të qarkullimit rrugor kanë marrë djalin, ndërsa menjëherë nga banesa ka dalë edhe bashkëshortja e tij. Atentati ka ndodhur vetëm pak metra larg banesës së 46-vjeçarit, që ndodhet në katin e dytë të një pallati të ri në “Rrugën e Kavajës”. Rreth orës 17:30, Naim Hyska së bashku me djalin e tij 11-vjeçar ka qenë duke u kthyer në banesën e tij, pasi dje nuk ka qenë në punë. Sapo ka marrë kthesën që ndodhet vetëm pak metra larg pallatit ku ai banon, një person i armatosur me pistoletë e ka ndaluar. Sapo oficeri i policisë ka ndaluar automjetin tip “Benz” me targë TR 5616 K, është qëlluar me një plumb në kokë. Sipas mjekëve goditja e plumbit ka qenë tejshpuese, ndërsa 46-vjeçari është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak nga fqinjët e tij. Atentatori, i cili sipas dëshmitarëve ka qenë i pa maskuar, duke përfituar nga zona e pa ndriçuar dhe rrugicat dytësore, pasi ka qëlluar mbi oficerin e policisë është larguar në këmbë. Dëshmitar i vetëm i skenës tragjike ka qenë djali 11-vjeçar, i cili sapo ka para të atin ka dalë nga automjeti për të kërkuar ndihmën e të afërmve. Fqinjët kanë lajmëruar më pas policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke siguruar edhe skemën e krimit. Sipas policisë, zona ku ndodhi ngjarja është një rrugicë mes një pallati të vjetër dhe një godine 1-katëshe ku nuk kishte njeri. Dëshmitarët e ngjarjes, të cilët kanë parë edhe atentatorin të largohet në këmbë, janë dy punonjësit e një lavazhi që ndodhet vetëm pak metra larg vendit ku u qëllua 46-vjeçari, babai i tre fëmijëve. Po ashtu, në polici janë shoqëruar edhe punonjësit e një lokali që ndodhet në pak metra larg automjetit të ndaluar të policit. Të gjithë dëshmitarët janë marrë në pyetje nga policia, ku kanë deklaruar se personi që qëlloi ndaj oficerit të policisë rrugore ka qenë një i ri, i veshur normalisht, pa ndonjë shenjë dalluese të veçantë dhe për më tepër i pa maskuar. Ata kanë treguar se, pas ngjarjes, atentatori është larguar në këmbë duke përfituar nga rrugicat e pa ndriçuara të lagjes. Sipas burimeve pranë Spitalit Ushtarak, mësohet se 46-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e këtij spitali. Goditja e plumbit ka qenë tejshpuese në pjesën e sipërme të kokës çka e vështirëson akoma më shumë gjendjen shëndetësore të tij. Përveç dëshmive të marra nga të pranishmit, policia ka nisur hetimet, duke thënë paraprakisht se atentati mund të ketë lidhje me detyrën e të plagosurit Naim Hyska. Plagosja për shkak të detyrës është pista kryesore ku po heton policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda aktualisht. Episodi i parë lidhet me detyrën si oficer pranë qarkullimit rrugor në kryeqytet, ku Hyska mund të ketë pasur ndonjë konflikt për shkak të detyrës. Ndërsa dyshime ka edhe për punën e tij si pjesë e forcave të rendit në policinë e Vlorës. Sipas burimeve, mësohet se Naim Hyskaj ka drejtuar një operacion policor në vitin 1998 në qytetin e Vlorës, i cili është edhe vendi i lindjes së tij. Këto dyshime, sipas policisë, lidhen me mënyrën sesi është kryer atentati, pasi autori e ka pritur 46-vjeçarin disa metra larg banesës së tij dhe nuk është stepur as nga prania në automjet e djalit 11-vjeçar të punonjësit të policisë.
Pista 1
Hetimet për plagosjen e oficerit Naim Hyskaj janë fokusuar më së shumti në pistën e detyrës. Burime nga policia thanë se ka dyshime që autori të jetë ndonjë person i penalizuar nga polici rrugor
Pista 2
Aktiviteti në polici gjatë kohës që jetonte në Vlorës është një tjetër linjë që po ndjek policia për zbardhjen e atentatit ndaj policit rrugor. Dyshimet bien kryesisht për operacionet e realizuara pas vitit 1997
Dëshmitari: Autori ishte vetëm, u largua në këmbë
Fqinji i punonjësit tregon se ngjarjen e mori vesh nga të qarat e djalit 11-vjeçar të Naim Hyskajt. “Autori ka qenë pa maskë”
Tiranë Një prej banorëve të lagjes, i cili ka dëgjuar thirrjet për ndihmë të djalit 11-vjeçar të policit të plagosur, tregon se Naim Hyska banon prej disa vitesh në këtë lagje dhe njihet si familjar i rregullt. Dëshmitari, i cili nuk dëshiron të identifikohet, tregon se në momentet e ngjarjes ka dëgjuar djalin e policit të plagosur, teksa shkonte drejt banesës së tij duke bërtitur: “më vranë babin, më vranë babin”. Të bërtiturat e djalit janë dëgjuar nga nëna e tij, e cila është nisur menjëherë drejt vendit ku qëndronte e palëvizur makina e bashkëshortit të saj. “Sapo ka marrë vesh lajmin nga djali 11-vjeçar, gruaja e Naimit është nisur menjëherë drejt makinës. Gjatë rrugës ka qenë edhe nëna ime, e cila i ka qëndruar pranë. Në një moment asaj i ka rënë të fikët”- tregon dëshmitari. Sipas tij, menjëherë polici i plagosur është transportuar drejt spitalit nga një prej banorëve të lagjes dhe familjarët e tij janë nisur për t’i qëndruar pranë në spital. Dëshmitari tregon se ka miqësi me djalin e oficerit të plagosur, i cili ndodhet për studime jashtë vendit. “Naimi njihet si familjar i rregullt dhe njeri i mirë në lagje. Ai ka bërë shumë për lagjen, me sa ka pasur mundësi”- thotë dëshmitari, duke pohuar se atentatori ka qenë në këmbë. Sipas tij, ata që e kanë parë, por edhe djali 11-vjeçar, ka treguar se personi që qëlloi mbi 46-vjeçarin ka qenë i vetëm dhe më pas është larguar në këmbë nëpër rrugicat e pa ndriçuara të lagjes. Dëshmitarë të tjerë në vendin e ngjarjes hedhin dyshime se atentati ka ardhur për shkak të detyrës si punonjës i qarkullimit rrugor, madje njëri prej tyre tha se pak ditë më parë 46-vjeçari kishte bllokuar një leje qarkullimi. Por, sipas policisë, detyra si punonjës i qarkullimit rrugor është duke u verifikuar nga hetimet që po kryhen, edhe pse për momentin pista kryesore është vrasje e mbetur në tentativë për shkak të detyrës. Sipas mjekëve, plumbi që ka përshkruar 46-vjeçarin ka qenë me drejtim qitje nga e majta në të djathtë, pasi 46-vjeçari në momentin kur është qëlluar ndodhej në automjetin e tij tip “Benz” në vendin e shoferit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme gjendja shëndetësore e oficerit të plagosur, sipas mjekëve, vazhdonte të ishte kritike, pasi plaga e marrë në kokë ka qenë tejshpuese.