E Diel, 1 Nëntor 2026

Retro/Histori: 25 dhjetor 1977 Vdes aktori i madh Çarli Çaplin

Regjisori dhe aktori anglez Çarli Çaplin, u lind më 16 prill të vitit 1889. Ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili shpenzoi jetën për t’i bërë njerëzit të qeshin dhe të mendojnë. Në moshën 20-vjeçare Çaplin inkuadrohet në ansamblin e Karnos, ansambël ky që kultivonte traditën angleze të pantomimës. Aty, Çaplini mësoi të bënte akrobacione, të vallëzojë dhe tërë atë që i nevojitej për artin e tij pa zë. Ëndërronte të luante Romeon, mirëpo në fillim të karrierës së tij, “Keystone” e angazhoi që të bëhej shakaxhi, me një kontratë për 150 dollarë në javë. Filmi i tij i parë xhirohet më 1914, me titullin “Gjallnia“. Kur bota vuante pasojat e Luftës së Parë Botërore, shumë njerëz gjetën shpresë në filmat e tij, edhe pse pas komikes së tyre fshihej një jetë e trishtuar. Në një sondazh mbarëbotëror të drejtuar nga kritikë të filmit, Çaplini votohet si aktori më i madh i historisë së kinemasë. Ai i dha komedisë një frymë të re, në një kohë kur paniku i pasluftës, fashizmi dhe depresioni ishin pjesë e jetës në Europë dhe Amerikë. Me kompaninë “Mutual“, ai xhiroi mes të tjerash këta tituj: “Çarli në shtëpinë e mallrave“, “Zjarrfikësi“, “Aventuristi“, “Emigranti“, “Rruga e qetë”. Aftësia e Çaplinit për të trajtuar probleme madhore duket qartë në filmin “The Great Dictator” (Diktatori i madh, 1940) dhe “Monsieur Verdoux” (Zoti Verdu, 1947). Tek i pari ai luan njëherësh një berber të pafajshëm hebre dhe Hitlerin. E çuditshme të përfytyrosh se Çaplini, ndër njerëzit më të dashur të botës, dhe Adolf Hitler, vrasësi i njerëzve në masë, të kenë diçka të përbashkët. Të dy kanë lindur në prill 1889 dhe mbajnë të njëjtat mustaqe. Madje disa thonë së Hitleri i kopjoi artistit mustaqet për t’iu kundërvënë popullaritetit të tij. Në fund vendoset në Zvicër, ku xhiron dy filma dhe shkruan autobiografinë. Vdiq më 25 dhjetor 1977

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›