E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vrarë emigranti, sapo ishte kthyer nga Greqia

Një 34-vjeçar është gjetur i vrarë me sende të forta në një barakë në lagjen 14, në Shkozet të Durrësit. Mister motivet. Familjarët: U largua para dy ditësh

Kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Greqia dhe pas një telefonate nga persona ende të panjohur u zhduk nga shtëpia për dy ditë, policia e gjeti dje të vrarë në një barakë në Shkozet të Durrësit. Ende nuk ka asnjë rrethanë të zbardhur mbi krimin që i ka marrë jetën Fatbardh Hysit, ndërsa familjarët thanë se ai u zhduk pas një telefonate. Policia tha se është duke hetuar, por deri dje në mbrëmje ngjarja ishte mjaft e paqartë dhe e mistershme.

Zhdukja

Kanë qenë familjarët e 34-vjeçarit që kanë denoncuar dje zhdukjen e njeriut të tyre, i cili nuk përgjigjej në telefon, ndërsa ishte larguar prej dy ditësh nga shtëpia. Ata kanë shkuar në komisariatin e policisë dhe kanë dhënë detajet nga takimi i fundit me Hysin, ndërsa kanë thënë se ai ishte larguar pasi kishte marrë më herët një telefonatë, por ata nuk kanë ditur të përcaktojnë se nga kush është bërë telefonata. Sipas të afërmve, menjëherë pas kësaj 34-vjeçari është larguar dhe nuk është bërë më i gjallë, ndërsa ata janë shqetësuar pasi nuk mund të vinin kontakt me të.

Zbulimi

Policia zbuloi trupin e pajetë një ditë më parë në një barakë në lagjen 14, në Shkozet. Ai u identifikua dje si shtetasi Fatbardh Hysi, 34 vjeç. Fillimisht u dyshua për një vdekje nga i ftohti, por pas ekspertizës në trupin e tij u gjetën shenja dhune. “Ekspertët mjekoligjorë kanë vërtetuar se mbi trupin e Hysit janë gjetur shenja dhune, fakt që dëshmon se 34-vjeçari është vrarë me sende të forta”, - njoftoi policia. I riu kishte pak ditë që kishte mbërritur në Shqipëri nga Greqia dhe pa lënë asnjë gjurmë ishte zhdukur në mënyrë të mistershme. Policia po heton mbi shkaqet e vrasjes së të sapokthyerit nga Greqia dhe hetimet janë përqendruar dhe mbi aktivitet të tij në shtetin fqinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›