E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentat me eksploziv ndaj kreut socialist të Vlores

VLORË

VLORE-Tronditet Vlora. Për faqësues të Partisë Socialiste të këtij qyteti vihen në shënjestër të atentateve. Ende pa u zbardhur ngjarja e dy javëve më parë, kur u hodh në erë me eksploziv makina e anëtarit të Këshillit Bashkiak, Morand Hoxha, është shënuar një tjetër akt kriminal. Mëngjesin e djeshëm, persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi të konsiderueshme lënde djegëse dhe kapsollë detonatore në makinën e kreut të degës lokale të PS-së dhe njëkohësisht deputet i Vlorës, Eltar Deda. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, pohojnë se po hetohet intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, përfaqësues të prokurorisë së këtij rrethi bëjnë me dije se po hetohet për veprën penale “shkatërrim i pronës me eksploziv i mbetur në tentativë”. Pas denoncimit të ngjarjes, ka reaguar ashpër deputeti Deda. Ai deklaroi se ky është një akt i pastër presioni politik për shkak te detyrës. Në orët e mbrëmjes janë shoqëruar dy persona të dyshuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në qytetin bregdetar.
NGJARJA
Rreth orës 07:45, kryetari i PS-së për qytetin e Vlorës, Eltar Deda ka dalë nga banesa për të dërguar në shkollë djalin e tij 11-vjeçar. Deputeti, së bashku me të birin ka shkuar tek makina që kishte parkuar (në lagjen ‘29 Nëntori’), pas shkollës së mesme “Ali Demi”. Në momentin që është futur në makinën e tij tip “Volsvagen” me targa VL 5900C, Deda ka vënë re se në kofanon e mjetit ishte vendosur një bidon plastik 0.5 litra, i mbushur me lëndë djegëse (benzinë). Deputeti ka shtangur nga habia. Ai ka ndezur makinën dhe ka lëvizur për dhjetë metra, pasi para i ka dalë një nga fqinjët e tij. Ndërsa ka ndaluar, kreu i PS-së i ka thënë komshiut se kishte gjetur një bidon me lëndë djegëse në makinë. Ndërkohë, ky i fundit i ka treguar Eltar Dedës se kur lëvizi automjetin poshtë ishte një tjetër bidon plastik 1.5 litërsh. Pas verifikimeve që bëri më pas policia, rezultoi se në bidonin e dytë ishte montuar një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës (bombë artizanale).
HETIMI
Deputeti socialist ka denoncuar ngjarjen në polici, e cila brenda pak minutave ka mbërritur në vendngjarje. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka rezultuar se lënda djegëse ishte benzinë. Sipas ekspertëve, nuk përjashtohet mundësia që lënda djegëse të jetë vendosur nga persona që ushtrojnë aktivitetin e parkimit të automjeteve. Policia ka shoqëruar dy roje të parkingjeve, ndërsa është marrë në pyetje dhe kreu socialist i Vlorës, Eltar Dede. Ai është shprehur se, “asnjëherë nuk kam pasur probleme apo kërcënime. Sipas meje, ky është një presion që më bëhet për shkak të detyrës”. Po të njëjtat burime sqarojnë se po hetohet në disa pista.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›