Malaj: Qeveria të identifikojë autorët e akteve kriminale
TIRANE-Brenda një kohe shumë të shkurtër qyteti i Vlorës është tronditur nga dy akte kriminale ndaj përfaqësuesve politikë të PS-së. Qeveria duhet të identifikojë dhe të dënojë autorët e këtyre veprimeve kriminale”. Kështu deklaroi dje Arben Malaj, deputet i PS—së për këtë qark. Në reagimin e tij pas ngjarjes ndaj deputetit Eltar Deda, ai tha se, “Partia Socialiste dhe të zgjedhurit e saj në qytetin dhe qarkun e Vlorës janë plotësisht të angazhuar për një ambient politik sa më të qetë dhe për një ballafaqim politik konkurrues, pa nxitur tensione ndërpartiake”. Ndërkohë, Malaj u shpreh se edhe kontributi personal i kryetarit te PS-së, Eltar Deda për një opozitë larg grindjeve dhe tensioneve partiake, është i njohur dhe i vlerësuar nga qytetarët e Vlorës. “Nuk duhet, për asnjë arsye, që Vlora të preket nga pasojat e situatës së rënduar politike, ekonomike dhe sociale në vend. Sigurimi i rendit dhe qetësisë, goditja e menjëhershme dhe e ashpër e akteve kriminale ndaj çdo qytetari të Vlorës dhe ndaj përfaqësuesve të çdo partie politike, përbën një detyrim jo vetëm ligjor të qeverisë Berisha”, - ka pohuar deputeti Malaj. Sipas tij, çdo mosveprim, nxitje e drejtpërdrejtë ose e tërthorte e cenimit të rendit, qetësisë dhe sigurisë, çdo kërcënim i të zgjedhurve politikë të çdo force politike, dëmton Vlorën.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)