Dy javë më parë u hodh në erë makina e këshilltarit socialist, Morand Hoxha
VLORë -Dy javë më parë, persona ende të paidentifikuar i bënë atentat këshilltarit të Partisë Socialiste të Vlorës. Morand Hoxha, anëtar i Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, mbeti i plagosur pas hedhjes në erë me eksploziv të makinës në pronësi të tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50, në lagjen “Isa Boletini” (në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”). Sipas burimeve policore, një shpërthim i fuqishëm hodhi në erë makinën tip “Benz” 240 me ngjyrë të bardhë. Kalimtarë të rastit u tmerruan, ndërsa shpejtuan të largohen nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e shpërthimit të fortë, u plagos 38-vjeçari Morand Hoxha, anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës. Menjëherë në vendngjarje mbërritën uniformat blu, ndërsa Hoxha, baba i dy fëmijëve u dërgua urgjentisht në spitalin rajonal të Vlorës ku dhe mori ndihmën e parë mjekësore. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, hetuesit e çështjes pohuan se automjeti në pronësi të anëtarit të Këshillit Bashkiak (përfaqësues i Partisë Socialiste) u hodh në erë me eksploziv. Sipas tyre, shpërthimi i lëndës plasëse (tritol i tipit C4) e ndau makinën në dy pjesë, ndërsa u dëmtuan rëndë dhe automjete të tjera që gjendeshin aty afër. Ekspertët sqaruan se makina ishte parkuar para një pallati dhe se shpërtheu në momentin që Morand Hoxha iu afrua asaj. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, policia dhe prokuroria e Vlorës po hetojnë në disa pista. Ndërkohë, ende nuk janë zbuluar autorët e krimit. Para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të vitit që shkoi, Morand Hoxha është larguar nga LSI-ja duke kaluar me Partinë Socialiste.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)