Atentati me 2 viktima, drejtori i policisë së Lezhës: Është qëlluar me breshëri plumbash, po fiksojmë çdo provë

TIRANË, 26 prill /ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, në një prononcim për mediet foli në lidhje me atentatin me dy të vrarë që ndodhi mesditën e sotme në në dalje të fshatit Balldren, në Lezhë.
Nasufi tha se ndaj Audit Q7 me të cilin udhëtonin çifti i bashkëshortëve që mbetën të vrarë, është qëlluar me breshëri plumbash.
Po ashtu, Nasufi deklaroi se është ngritur një grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, që po punon për sigurimin e të gjitha provave nga vendi i ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së vrasjeve.
“Është konstatuar se gjatë lëvizjes së një mjeti, ai është qëlluar me breshëri armësh dhe mjekët kanë konfirmuar për humbjen e jetëve të dy personave, një burrë e një grua. Lajmi është shumë i rëndë. Nën drejtimin e prokurorit është ngritur grupi hetimor, janë marrë të gjitha masat dhe po kryhen të gjitha veprimet operative në terren edhe në bashkëpunim me qarqet e tjera”, shtoi kreu i policisë së Lezhës.
“Po punojmë intensivisht, po fiksojmë çdo provë në vendngjarje, me qëllim hetimin e plotë, zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë”, tha ai.
/m.q/j.p/