E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati me minën-celular, hetim për një vrasje të vjetër

VLORË- Një ditë pas shpërthimit të një automjeti nga vënia e një sasie tritoli, vendi ku ndodhi shpërthimi i është kthyer normalitetit. Ndërsa qytetarët e Vlorës vazhdojnë të mbeten të tronditur nga një ngjarje që ndodhi në mes të ditës dhe se mund të kishte një numër të madh viktimash, për shkak të frekuentimit të shumtë në këtë zonë. Bilanci i dy ditëve më parë qe një i vdekur e tre të plagosur. Vendi ku ndodhi shpërthimi është pastruar, po kështu dhe makina e djegur është larguar nga vendi i ngjarjes. Territori, si dhe të gjitha njësitë private që operojnë në këtë zonë, i janë kthyer normalitetit. Ndërsa dyqani ku Renato Abazi, viktima e shpërthimit, kryente biznesin e tij ka qenë e mbyllur dhe nuk ka funksionuar. Familjarët, miqtë dhe të afërmit, në orën 11:30 të ditës së djeshme kanë përcjellë për në banesën e fundit 39-vjeçarin Abazi. Ceremonia mortore e të riut është vëzhguar në distancë edhe nga punonjës policie.

Shoqërimet

Sipas burimeve nga policia e Vlorës mësohet se gjatë 24 orëve janë shoqëruar mbi 30 persona në polici, për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen e shpërthimit të automjetit, ku si pasoi humbi jetën një person dhe u plagosën tre të tjerë. Të shoqëruarit kanë qenë të njohur të viktimës, miq dhe të afërm të tij, si dhe persona të skeduar nga policia. Mbas marrjes në pyetje të gjithë të shoqëruarit janë lënë të lirë. Drejtori i Policisë së Vlorës, Ylli Metko dhe ditën e djeshme është shprehur, se “kemi disa pista për të cilat po punohet nga grupet e krimit të organizuar si dhe nga prokuroria, për momentin në pistën që po hetohet më fort është ajo e hakmarrjes”. Sipas tij, shpërthimi me tritol e ka vështirësuar së shumti mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes, duke e bërë thuajse të pamundur lidhjen direkte me provat shkencore. “Edhe pse jemi duke bërë punë në terren duhet thënë se shpërthimi i eksplozivit i ka shkatërruar provat. Megjithatë ne po merremi dhe me tablatet e telefonave për të verifikuar listën e personave më të cilët ai ka komunikuar së fundmi”, ka saktësuar drejtori i Policisë së Vlorës, Ylli Metko. Ai ka shtuar se është e vështirë të flitet për një pistë të saktë, ndërsa hetimi është shtrirë që nga një konflikt i mundshëm ordiner e deri në një larje hesapesh.

Po ashtu dhe nga Prokuroria e Vlorës, prokurori i Vlorës Artan Madani shprehet se “koha e hetimit të tij është hapur në hapësirë, pasi po verifikohen të gjitha lëvizjet e viktimës Renato Abazit, që nga vitet e shkuara, por ende nuk ka asnjë pistë ku ne mund të përqendrohemi”. Po ashtu nga policia po punohet në disa pista, për të zbardhur ngjarjen e rëndë, po grumbullohen prova dhe dëshmi, si dhe po hetohet e kaluara e viktimës, ku mendohet se mund të ketë dhe precedent penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›