Dy nga të plagosurit lënë spitalin
VLORË- Menjëherë pas shpërthimit të djeshëm, tre personat e plagosur janë nisur në spitalin rajonal të qytetit të Vlorës, ku kanë marrë dhe ndihmën e parë. Sipas burimeve spitalore, mësohet se tre të plagosurit janë trajtuar intensivisht gjatë gjithë natës. Po të njëjtat burime kanë saktësuar për gazetën se djaloshi 7-vjeçar, Siged Dan, djali i të plagosurit tjetër Meklaud Danit, 34 vjeç, me banim në lagjen “Pavarsia”, kishte djegie të sipërfaqeve të zbuluara të trupit, si dhe disa çarje në fytyrë dhe në trup, ndërsa është saktësuar se fëmija nuk ka pasur probleme serioze. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar por pa probleme serioze, pas përmirësimit të tij është larguar nga spitali në orët e mesditës së djeshme. Po gjithashtu dhe Galitano Zguro, 30 vjeç, kishte marrë disa plagë të lehta në fytyrë dhe në trup, si pasojë e copave të xhamave dhe të metaleve nga shpërthimi. Po kështu, burimet spitalore kanë saktësuar se 30-vjeçari Zguro, pas përmirësimit ka dalë nga spitali në orët e mesditës së djeshme. Në fakt, në gjendje më të rënduar ditën e djeshme është shfaqur 34-vjeçari, Meklaud Dani. Mësohet se Dani vazhdon të ndodhet në sallën e reanimacionit, i cili ka dëmtime dhe djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Por dhe ky person vazhdon të marrë kurat intensive dhe sipas mjekëve nuk ka rrezik për jetën dhe do të vazhdojë të mbahet në mbikëqyrjen e bluzave të bardha.