Sequi: Dialog sa më parë nëse doni të shkoni në Bruksel
Intervistoi: Ilva Tare
A jeni i kënaqur nga angazhimi i administratës shqiptare dhe vënia në zbatim e këtyre projekteve nga pala shqiptare. A ka diçka që duhet ndryshuar apo përmirësuar në këtë drejtim, nga pikëpamja e rrugës së ndjekur, cilësisë, standardeve?
Kjo është një pyetje shume e rëndësishme. Ajo që ne shohim qartësisht është entuziazëm dhe angazhim, dhe kjo është një gjë mjaft pozitive. Sigurisht që ka edhe probleme. Probleme këto që lidhen me kapacitetet absorbuese të kësaj ndihme kaq të madhe. Ka probleme që lidhen me kapacitetet njerëzore, ndryshime të shpeshta në administratën shqiptare. Në përgjithësi, unë do ta cilësoja reagimin e institucioneve shqiptare pozitiv. Është vërtet mbresëlënës entuziazmi që ata tregojnë në këtë drejtim.
A jeni të sigurtë që ndihma që jep Bashkimi Evropian po shkon ne drejtimin e duhur apo mos ka ndopak humbje rrugës?
Ne jemi shumë të sigurt për këtë. Ne kemi mekanizma monitorues për këtë çështje. Ne punojmë ngushtësisht me institucionet shqiptare. Unë personalisht kam filluar një tur vizitash ne terren kudo ku vihen në zbatim projektet e financuara nga Bashkimi Evropian, për të parë dhe për t'u siguruar edhe personalisht, ashtu siç thate edhe ju që ndihma po shkon aty ku duhet dhe për më tepër po përdoret ashtu sic duhet.
A i ka plotësuar Shqipëria detyrimet për vënien në jetë të 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian dhe nëse jo, ke cilësoni ju përgjegjës për këtë?
Me lejoni në fillim të them që integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar. Është e gjithë Shqipëria që po shkon drejt integrimit evropian. Opinionin e Komisionit Evropian, i bërë publik vitin që shkoi, identifikoi 12 fusha, që ne i quajmë prioritetet, në të cilat Shqipëria duhet të fokusohet më shumë dhe urgjentisht në mënyrë që të ecë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian do të bëjë një fotografi të situatës, le të themi nga mesi i shtatorit, një fotografi që do të përkthehet në një raport progresi që do i paraqitet Këshillit. Dhe në nëntor ose dhjetor Këshilli do të shprehë mendimin e vet nëse këto 12 prioritete janë përmbushur apo jo. Ky është një moment kritik, thelbësor, për të vlerësuar kapacitetet e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Zoti Ambasador si e shpjegoni ju faktin qe në 2010, për herë të parë në historinë e zgjerimit Bashkimi Evropian refuzoi aplikimin e Shqipërisë për vend kandidat në Bashkimin Europian. Ndërkohë që ishte e kundërta me Malin i Zi. Çfarë ka humbur kryesisht Shqipëria nga pikëpamja e reputacionit, kostos, ndihmës financiare apo fushash të tjera?
Realiteti është paksa më ndryshe. Ajo që Shqipëria duhet të bëjë është të punojë për 12 prioritetet e listuara nga Komisioni Evropian. Ç'fare ka humbur Shqipëria? Ka humbur paksa kohë. Por ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria të mos humbë më kohë në të ardhmen. Por Shqipëria është jo vetëm e angazhuar plotësisht, por unë jam i bindur që do t'ia dalë mbanë. Po sinqerisht nuk ka mbetur shumë kohë, dhe kjo kohë duhet shfrytëzuar mirë. Koha që mbetet fillon që tani e deri në shtator, kur do bëhet fotografia për të cilën fola në fillim.
Në dijeninë tuaj, a është kjo hera e parë që Bashkimi Evropian në historinë e zgjerimit i thotë ndal aplikimit të një vendi për anëtarësim?
Nuk ishte një ndal. Ishte një lloj vlerësimi për të kuptuar atë që duhet bërë për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. E përsëris që ju duhet të fokusoheni më shumë tek e ardhmja. E ardhmja do të thotë që nga sot deri në shtator ju duhet të punoni për 12 detyrat e shtëpisë për të cilat folëm. Një rezultat i qëndrueshëm duhet për këtë. Por unë besoj se ju do ia dilni mbanë.
Ju erdhët në Shqipëri me detyrën e re si Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë në një periudhë në të cilin kriza politike që nisi që me zgjedhjet e 2009 arriti kulmin. Akuzat e opozitës për vjedhje të votës çuan në bojkotin e parlamentit dhe në atë që komuniteti ndërkombëtar e quan me fjalën ngërç politik. Çfarë do të thotë fjala ngërç për ju?
Ajo që unë kuptoj është se dialogu politik duhet të rinisë sa më parë të jetë e mundur. Sepse vetëm nëpërmjet dialogut politik dhe vetëm nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta për të bërë detyrat e shtëpisë. Shqipëria mund të ecë përpara në rrugën drejt integrimit evropian. Kjo bëhet mjaft e qartë nga të 12 prioritetet, bëhet mjaft e qartë nga ajo që duhet bërë për t'i plotësuar këto prioritete. Thjesht ju duhet të punoni së bashku në mënyrë që të ecni përpara.
A mendoni që ky ngërç politik ka ndikimin e vet në fushat e tjera të jetës sonë? A keni bërë ndonjë lloj vlerësimi në impaktin që ka ngërçi politik?
Nëse i hidhni një sy të 12 prioriteteve të Opinionit ka një sërë veprimesh që duhen ndërmarrë së bashku. Si për shembull miratimi i ligjeve në parlament me shumicë të cilësuar. ..
A besoni ende në një dialog ndërpartiak në Shqipëri?
Unë besoj se duhet më shumë se besim, kjo është një nevojë. Është një nevojë për vendin nëse doni të shkoni në Bruksel...
Unë besoj se ju e njihni shumë mirë Shqipërinë dhe shqiptarët falë edhe detyrës suaj të mëparshme, dhe për këtë do të flasim më vonë, por do doja të ngelesha përsëri në të njëjtën pyetje. Siç edhe ju jeni mjaft mirë në dijeni të dy palët në Shqipëri, koalicioni qeverisës dhe opozita po akuzojnë njëra tjetrën mjaft rëndë dhe ekziston një opinion i mjegullt në publik se çfarë po ndodh, se kush është fajtori, kush po i bën gabimet në këtë situatë. A nuk mendoni se do të ishte më mirë për Bashkimin Evropian si faktor i jashtëm dhe si një mik i Shqipërisë, të shmangte deklarata neutrale dhe të ishte më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij.
Unë mendoj që Bashkimi Evropian është mjaft i qartë në deklaratat e tij, sepse këto deklarata janë të bazuara në vlera, janë të bazuara në gjykime objektive, sepse janë të bazuara në atë që ne besojmë është më e mira në interes të vendit. E përsëris edhe një herë, unë besoj se Bashkimi Evropian është shumë i qartë në atë që thotë.
Unë besoj, dhe ky nuk është vetëm perceptimi im, se shqiptarët nuk po e kuptojnë qartë se kush është përgjegjës për situatën aktuale dhe ata duan ta dinë të vërtetën....ata duan të dinë pse po ndjekin këtë rrugë dhe pse nuk janë më të shpejtë në këtë rrugë?
Po, por nuk i takon një të huaji të gjejë një përgjigje për këtë. Nuk na takon ne të bëjmë arbitrin. Ne jemi këtu për të kryer një tjetër detyrë, për ta ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara në rrugën drejt integrimit evropian. Shqiptaret, të gjithë duhet ta kenë të qartë që kjo është puna juaj, është vendi juaj, është e ardhmja juaj është përgjegjësia juaj.
Zoti Ambasador tani do të flasim për një çështje mjaft të nxehtë për momentin në Shqipëri, zgjedhjet, 8 majin. Por ne ende nuk kemi zgjidhur problemet që u idenfikuan nga OSBE-ODHIR pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009. Gjithsesi komuniteti ndërkombëtar ka theksuar se ky kuadër ligjor që kemi krijon mundësi për proces të lirë dhe të ndershëm. Cili është opinioni juaj për këtë?
Unë do t'i referohesha asaj që një ndër autoritetet në procesin e zgjedhjeve, Ambasadorin Vollfarth ka thënë kohët e fundit se kuadri ligjor aktual mund të bëjë të mundur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Problemi qëndron në zbatimin siç duhet të këtij kuadri ligjor. Ajo që do doja të theksoja është se një ndër detyrat e shtëpisë më të rëndësishme është prioriteti i pestë i Opinionit, ai që i referohet zgjedhjeve. Është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen sipas standardeve europiane dhe ndërkombëtare. Ky është një ndër nga prioritetet kyçe më thelbësore. Shqipëria e ka mundësinë që nëpërmjet këtyre zgjedhjeve të tregojë pjekurinë, të tregojë maturinë që pritet prej saj.
Ju aktualisht e përmendët në takimin tuaj të dy ditëve më parë me Presidentin e Republikës, që këto zgjedhje janë jetësore për Shqipërinë. A do të ndikohet procesi i integrimit nëse këto zgjedhje do të kenë probleme?
Do doja t’ju falënderoj për këtë pyetje sepse më jep mundësinë që t'i referohem fjalëve të Komisionerit Fule kur foli mbi këtë cështje gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri: "Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një e drejtë themelore e qytetarëve shqiptare. Shqipëria nuk mund ta humbë mundësi që të tregojë se mund të mbajë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe evropiane. Nëse për këtë nuk gjendet një zgjidhje atëherë Komisioni Evropian nuk do mund të bëjë një vlerësim pozitiv. Sepse kjo është një nga prioritetet kyçe të Opinionit, një nga më të rëndësishmet.
Unë personalisht kam pasur gjithmonë problem me gjuhën e Brukselit...nuk do te ketë një impakt pozitiv...pse nuk thoni do të ketë impakt negativ zoti Ambasador?
Siç e thatë edhe ju, kjo është gjuha jonë, gjuha e Brukselit. Në çdo rast, kjo fjali tregon pritshmëritë e vërteta që ne kemi, që Brukseli, dhe jo vetëm, ka që zgjedhjet vendore të mbahen në mënyrë dinjitoze dhe të civilizuar, sipas standardeve ndërkombëtare.
Jam e sigurtë që ju keni pasur një axhendë mjaft të pasur këto ditë për t’ju dhënë mesazhin tuaj aktorëve politikë që do marrin pjesë në zgjedhjet vendore javën që vjen. Cili është mesazhi që po u jepni partive politike?
Mesazhi që u jap aktorëve politikë është: përpiquni të bëni më të mirën në mënyrë që të siguroni që procesi të jetë i civilizuar, në mënyrë që procesi para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Dhe kësaj thirrje për aktorët politikë do doja t’i shtoja: bëni atë që mundni që mbështetësit tuaj të distancohen nga dhuna.
Ju keni qenë gjithashtu mjaft aktiv edhe në takimet tuaja edhe me administratorët lokalë të zgjedhjeve, ata që janë përgjegjës për procesin. Cili është mesazhi juaj për ta?
Ju përdorët një fjalë të rëndësishme; procesin. Mesazhi im është ky: Sigurohuni që procesi të jetë korrekt. Të jetë një proces që siguron një gjë të një rëndësie thelbësore për mendimin tim, që vullneti i vërtetë i votuesve të pasqyrohet tek rezultati. Sepse kjo do të thotë që procesi është i drejtë.
A përbën për ju shqetësim që ndonjëra parti apo tjetra do të jetë problematike ditën e zgjedhjeve apo të nesërmen e zgjedhjeve?
Sinqerisht, shqetësimi im i vetëm do të ishte nëse procesi nuk do të përmbyllej në përputhje me standardet ndërkombëtare, sepse sigurisht që kjo do të reflektohej në progres raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Në Progres Raportin e 2010 të hartuar prej jush, korrupsioni përmendet si një ndër problemet kryesore me të cilat vendi duhet të përballet në mënyrë të menjëhershme. Dhe një nga fushat e përmendura në raportin tuaj ishte korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të ketë sukses në luftën kundër korrupsionit?
Pikësëpari duhet një plan antikorrupsion. Në vijim doja të theksoja tre gjëra; e para; zbatim, e dyta; zbatim, e treta; zbatim. Dhe të kemi një ecuri të qëndrueshme në hetimin e rasteve të korrupsionit.
A shihni vullnetin e duhur te politika dhe administrata shqiptare për të luftuar korrupsionin.
Po, e shoh.
Po atëherë pse nuk kemi rezultate të shkëlqyera?
Mendoj se ky është një nga ato probleme që nuk zgjidhen për 5 minuta. Për këtë kërkohet vënie në jetë dhe këmbëngulje.
E shoh se për në afati i fundit është 8 maji, kurse për ju shtatori, besoj në atë kohe do bëhet vlerësimi zyrtar për Shqipërinë...
Kjo do të thotë që në shtator ne do të bëjmë një foto të vendit, po deri atëherë ju keni ende kohë për të bërë detyrat e shtëpisë...
A keni dëgjuar kohëve të fundit në fushatën elektorale, për kasetat, për materialet e paramontuara që partitë politike i dërgojnë mediave? Dhe disa prej këtyre të fundit, Ora News ishte e para, kanë refuzuar t’i transmetojnë.
Në këtë çështje do doja t’i kthehesha asaj që Ambasadori Vollfarth theksoi në një rast tjetër; që ekzistojnë rregulla, dhe unë do ta shihja në këtë këndvështrim, nëse ka rregulla dhe ligje atëherë ato duhen zbatuar siç duhet.
Marrë me shkurtime nga “Tonigt”