E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati ndaj Ilir Emnit, vishet me mister

Mesa duket do të mbetet mister tentativa e vrasjes së djalit të Fatmir Eminit dy net më parë, pranë banesës së tij. I riu ka marrë mjekimin e duhur dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore duke mos rrezikuar në asnjë moment shëndetin apo jetën e tij, edhe pse problemi tashmë qëndron tek shkaqet e këtij atentati i cili rrezikon të përsëritet nëse nuk do të këtë portën parandaluese prej grupit hetimor. Edhe një ditë pas atentatit të bërë ndaj Ilir Eminit, djalit të Fatmir Eminit, sërish nuk është gjetur një autor. Edhe pse dita e  djeshme ka qenë e ngjeshur me lëvizje dhe me një aktivitet kërkimor nga ana e bluve të komisariatit të Fierit, ende nuk po duket në horizont asnjë autor dhe asnjë pistë konkrete për ngjarjen. Duke qenë se në këtë atentat ka qenë i pranishëm edhe një i afërm i 20 vjeçarit, Ilirit, dje ai është marrë në pyetje për të gjetur një pistë konkrete, por ato çka ka treguar i riu kanë qenë të pamjaftueshme për të zbardhur ngjarjen. Fakti që autori i plagosjes ka qenë i maskuar në çastin kur ka qëlluar, e ka vështirësuar hetimin. Ndërkohë policia veç personit të ndodhur aty ka pyetur edhe vetë 20 vjeçarin, i cili ka treguar se nuk ka patur asnjë konflikt me askënd në Fier. Ilir Emini, i pyetur prej grupit hetimor nuk ka dhënë asnjë detaj të paktën deri tani. Isha përpara shtëpisë, pallatit në lagjen 29 nëntori kur një person që nuk e pashë kush ishte, pasi nuk i kushtova rëndësi, po lëvizte me motor aty pranë. Në këtë kohë ka qëlluar mbi mua dhe është larguar. Mbaj mend vetëm që ishte me motor dhe se kishte disa minuta që po lëvizte në lagje. As i kushtova rëndësi kush ishte dhe as ma merrte mendja që më ruante mua, mësohet të ketë thënë përpara grupit të hetimit 20 vjeçari Ilir Emini. Madje sipas deponimeve që ka bërë djali, ai ka një rreth shumë të mirë shoqëror, aq as nuk mund të mendojë për asnjë person konkret. Paralel me dy të rinjtë, policia ka arritur të shoqërojë edhe njerëz me të cilët  Iliri kishte patur relata apo edhe miqësi. Por misteri duket se ka mbërthyer edhe policinë, e cila ka dalë me një deklaratë të thatë për mediat, duke mos dhënë asnjë detaj apo informacion në lidhje me pistat e hetimit apo personat që janë shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje. Pas pyetjeve ende nuk ka asgjë që ti çojë drejt zbardhjes së atentatit blutë e Fierit, por sipas tyre do të punohet, pasi nuk mund të përjashtohet mundësia edhe e ndonjë keqkuptimi mes të rinjsh. Nuk deklarohet asgjë zyrtare  për këtë ngjarje përveçse po vazhdojnë hetimet. Ilir Emini njihet nga shokët dhe fierakët si një nga djemtë më të kompletuar përsa u përket marrëdhënieve që krijonte me të tjerë, duke respektuar këdo  me të cilin e lidhet puna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›