E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, vajza e çiftit Koreshi tregon shkakun e sherrit mes prindërve

Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm Lushnjen por edhe gjithë vendin, në dy shtëpitë e bashkëshortëve Koreshi kanë qenë të hapura dyert për mort e ndërsa vaji ka pushtuar thellë edhe bashkëqytetarët e tyre. Dita e djeshme ka qenë e shoqëruar me ritet e përhershme mortore ndërsa janë përcjellë për në banesën e fundit Bajram dhe Adelina Koreshi, përkatësisht 43 dhe 36 vjeç. E vetmja që ka mbetur më e shokuar nga gjithë kjo ngjarje e rëndë ka qenë vajza 14 vjeçare e çiftit. E rritur aq sa të arrinte të kuptonte gjithë zhvillimet e vrullshme që pushtuan familjen, deri në ekzekutim, vajza ka treguar me dhimbje atë që pa. Policia lokale ka mbërritur dje qysh herët në banesën e çiftit duke kërkuar të dhëna të tjera nga familjarët. Vajza A. K ka treguar se babai i saj tashmë i papërgjegjshëm për shkak të një sëmundjeje nervore kishte ardhur në shtëpi i lodhur. Sipas vajzës, ai vinte shpesh i lodhur këto kohët e fundit. E ka patur paksa të vështirë që ta pranojë këtë skenë tronditëse vajza A. K, por gjithsesi duke dashur që kjo ngjarje të merrte një sqarim, vajza ka treguar se të dy, burrë dhe grua kishin debatuar. Adelina e kishte pyetur për disa lekë që i shoqi i kishte marrë në mëngjes për të psonisur, por që në mbrëmje nuk i kishte dhe kësisoj nuk kishte blerë asgjë. Sipas deponimeve të vajzës kishte qenë një shumë fare e vogël aq sa nuk ka vlejtur të përmendet, por mendohet aq sa të mund të blinte ushqimet e përditshme. Kjo, sipas vajzës nuk ka qenë aq alarmante sa ishte bërë nga të dy bashkëshortët, të cilët mendohet që në fillim nuk kanë menduar se gjërat do të përfundonin keq. I acaruar dhe i rënduar duke thënë se e shoqja i kërkonte llogari kot duke ia nxirë jetën, Bajrami ka bërtitur fort, fjalë që askush nuk ka mundur ti dëgjojë dot plotësisht. Më pas është dëgjuar një e shtënë arme dhe vajza ka qenë fare e befasuar nga kjo. A. K ka treguar se i ati bërtiste shpesh kohët e fundit, por sapo i kalonte kriza nervore ai qetësohej dhe sillej shumë normal. Kjo ka qenë ajo çka ka arritur të tregojë vajza për blutë dhe për të afërmit. Ndërkohë të afërm të familjes tregojnë se kishte rreth tre muaj që Bajrami kishte shfaqur shenja depresioni. Pas një vizite që ai kishte bërë,  mjekët neurologë i kishin dhënë mjekime duke i thënë se duhet të tregonte kujdes. Më vonë mjekët i kishin dhënë mjekime të herëpashershme, të cilat Bajrami nuk i përdori kurrë duke shprehur mungesën e besimit tek bluzat e bardha. Madje ai deklaronte se ishte shumë mirë dhe nuk kishte asnjë problem. Acarohej sa herë që në familje i kërkohej të shpenzonte apo sa herë që familja gjendej pa të ardhura. Gjendja ekonomike e dobët e kishte bërë që Bajrami të prekej shpesh nga situatat depresive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›