E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati ndaj kongresmenes

Mbetet kritike gjendja e kongresmenes se Arizonës Gabriel Gifords, të qëlluar një ditë më parë me plumb në kokë gjatë një tubimi elektoral në Tukson.

Megjithatë, mjekët që e operuan kanë shpresa se 40-vjeçarja që po lufton me vdekjen, mund t’ia dalë mbanë.

"Nuk mund të them se si do të shkojë gjendja e saj, por jam mjaft optimist megjithë rrethanat e gjendjes”, është shprehur doktor Piter Ri pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Një fëmijë 9 vjeç ishte mes të vrarëve në sulmin e kryer në Tuson të Arizonës. Autoritetet flasin për disa të vrarë dhe rreth 10 të plagosur, ndërsa agresori është nën arrest. Ai është identifikuar nga njerëzit pranë hetimeve si Xhared Longner në moshën 22-vjeçare dhe sipas sherifit të qarkut Pima të Arizonës, mund të mos ketë vepruar i vetëm.

Presidenti Barak Obama lëshoi një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, në të cilën thotë se të shtënat ishin një akt i pakuptimtë dhe i tmerrshëm dhune që nuk ka vend në një shoqëri të lirë. Edhe Kryetari i Bashkisë së Tusonit, Bob Uokap, shprehu shqetësimin e tij.

"Kjo është një tragjedi e rëndë për shtetin e Arizonës dhe për vendin.  Mendoj se është koha që të gjithë ne të mendojmë dhe të lutemi për viktimat e kësaj tragjedie që ndodhi para syve tonë”, u shpreh ai.
 
Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve, FBI-it, shkuan me nxitim në vendin e ngjarjes, pranë një dyqani ushqimor Safeëay, ku Gifords po zhvillonte një aktivitet me elektoratin e saj. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes rrefejne se personi i armatosur hapi zjarr me një breshëri prej 15-20 të shtënash, para se të përpiqej të largohej. Por dëshmitarët thonë se ai u bllokua nga një kalimtar i rastit dhe u vu nën arrest.
 
40-vjeçarja u rizgjodh për të tretën herë në muajin nëntor. Gifords ishte një prej politikanëve të Arizonës, zyrat e të cilëve ishin vënë në shënjestër nga vandalët dhe ishin kërcënuar gjatë debatit për reformën e kujdesit shëndetësor në vitin 2009.

 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›