Atentati në “Don Bosko”, Vocaj jep detajet: Autorët kanë djegur makinën, gjendet arma e zjarrit

Pas ngjarjes së ndodhur në “Don Bosko” ku u plagosën dy persona, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë detaje të reja teksa bëri të ditur se janë gjetur 7 gëzhoja, ndërsa në makinën e autorëve, e cila u gjet e djegur në Kamëz, është pikasur dhe sekuestruar një armë zjarri.
Vocaj shpjegoi se dy personat e plagosur ishin të ulur në një kafe kur janë qëlluar me armë zjarri. Vocaj theksoi gjithashtu se ka gjasa që autorët kanë qenë tre persona, bashkë me drejtuesin e mjetit dhe kanë qëlluar nga brenda makinës.
Sipas Vocajt do të shqyrtohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe kjo do t’i ndihmojë për të hedhur dritë mbi zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.
“Kemi ngritur një grup të posaçëm hetimor që po mbledh të gjitha provat që do ti shërbejnë hetimit. Jemi duke kontrolluar në të gjithë zonat për kamerat e sigurisë. Po kështu, në territorin e komisariati nr 5 është gjetur një mjet, që ka përputhshmëri me atë të autorëve. Targat nuk janë të vjedhura, por nr i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal. Vazhdojnë hetimet. Janë sekuestruar 7 gëzhoja nga një armë zjarri, nuk e kemi përcaktuar tipin e armës. Në automjet është gjetur një armë zjarri që po ekzaminohen.
Ishin në të njëjtën tavolinë, janë lidhje shoqërore. Nuk është kamarier. Kanë qenë duke pirë kafe në verandën e lokalit. Për objektivin nuk mund ta themi, nga hetimi besoj se do të rezultojë. Mendohet se kanë qenë tre persona, përfshirë dhe drejtuesin e mjetit. Jemi duke analizuar çështjen, njëri prej tyre ka precedent kriminal. Jemi duke hetuar backgroundin e të plagosurve, për të përcaktuar dhe pistat hetimore. Autorët kanë qëlluar nga automjeti, nuk kanë zbritur. Kemi pamjet filmike dhe kemi një ide të qartë për dinamikën”, tha Vocaj.
Atenati ndodhi sot në “ditën për diell” në afërsi të OSHEE-s, ku të plagosur mbetën 45-vjeçari Kastriot Elezaj dhe 22-vjeçari Renaldo Metushi, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Deri më tani nuk dihet ende shkaqet e ngjarjes, ndërsa policia vijon hetimet për sqarimin e rrethanave të plagosjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
/rtsh.al/