Atentatori i Berishës lë qelinë: Betohem që kam votuar dhe do të votoj për PD-në
I kërkoj ndjesë publike kryeministrit për veprimin që kam bërë, por kam qenë i pirë.
Këto janë fjalët që ka thënë Petrit Hoxha në Gjykatën e Burrelit, i ndaluari tre ditë më parë se qëlloi me gurë mbi makinën e Sali Berishës. Çuditërisht policia vijoi ta mbante të fshehur ngjarjen dhe personin për 48 orë rresht, por dje Petrit Hoxha ka dalë para togave të zeza.
Ai ka shpjeguar vetë incidentin ku është përballur me eskortën e Berishës, të cilën e ka qëlluar me gurë. Hoxha është shprehur se ka qenë i pirë dhe nuk ka pasur asnjë lloj nxitjeje nga persona të tretë. Atentatori i kryeministrit mbahej në ambientet e paraburgimit, jo aq për aktin, se sa për të treguar se kush ishte personi që e kishte shtyrë të kryente atë veprim.
Isha i pirë dhe as vetë nuk e di se si e kam kryer. I kërkoj ndjesë publike kryeministrit Berisha. Jam i penduar për këtë veprim, citohet ai në gazetën Shekulli.
Hoxha, për ta lehtësuar pozitën e tij, është betuar në sallën e gjyqit që ai dhe familja e tij gjithnjë kanë votuar për Partinë Demokratike dhe sërish vota e tij dhe e familjes së tij do të shkojë pikërisht për këtë forcë politike.
52-vjeçari, i cili qëlloi me një gur automjetin në të cilin udhëtonte kryeministri i vendit, është neutralizuar nga punonjësit e gardës, të cilët kanë qenë duke kryer shërbimin e shoqërimit të kryeministrit, të cilët, sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, e kanë rrahur Hoxhën.
Ndalimi i tij është mbajtur i fshehur për mediat dhe publikun deri ditën e djeshme, ndërsa familjarët e të shoqëruarit kanë refuzuar të flasin për dhunën e ushtruar mbi njeriun e tyre. Gjykata e ka lënë 52-vjeçarin nën masën detyrim paraqitje, ndërkohë në lidhje me aktin e tij nuk është lëshuar asnjë deklarata zyrtare nga policia. /A.XH