E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Kam marrëveshje me Ramën për të qenë pjesë e qeverisë

edi-rama-spartak-ngjelaKryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, thotë se ka bërë marrëveshje me kryetarin e Partisë Socialiste që ai të jetë ministër në kabinetin e ardhshëm.

Duke folur për Panoramën, ai thotë se Rama është i detyruar që ta shpallë atë marrëveshje ose ndryshe ajo quhet e prishur.

Unë kam një marrëveshje me zotin Rama, ku kam pranuar për të qenë pjesë e kabinetit të tij qeverisës. Unë e kam shpallur këtë marrëveshje në emisionin Opinion, para disa ditësh. Ikni dhe kërkojani Ramës dhe jo mua, sepse unë e kam shpallur, nëse ai nuk e shpall, ajo nuk ekziston më, nëse ai nuk e shpall këtë marrëveshje, ajo është e prishur, tha Ngjela.

I pyetur për debatin se kush duhet të jetë kryeministri i të majtës, Ngjela thotë: Nuk di të të them për këtë, duhet parë se çfarë marrëveshje kanë me njëri-tjetrin. Kushtetuta shprehet se partia më e madhe ose koalicioni fitues nxjerrin Kryeministrin. Pyetini ata se çfarë marrëveshje kanë bërë mes tyre.

Ndërsa mungesën e aleatëve në listat e PS-së, Ngjela e komenton kështu: Për këtë pyesni Ramën. Kjo varet nga marrëveshja që ai ka bërë me ta. Unë, që të hyj në listat e PS nuk kam pasur ndonjë marrëveshje. Nëse ajo do të ishte një listë që do të quhej lista Rilindja, ku të merrte pjesë e gjithë opozita dhe ku ai të mbante 60 mandate për vete dhe ti kishte lëshuar të tjerët për të bërë betejë elektorale për të marrë sa më shumë deputetë, ajo atëherë do të ishte skemë, që ne e kemi bërë me BF në 2001-shin. Unë nuk kam marrëveshje për të hyrë me të në listat e PS./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›