Athina: Jemi të zhgënjyer, presim shpjegime

Pas rrëzimit të paktit të ujërave, reagon ministri plotësues i Jashtëm, Dimitris Dukras
Athina ka reaguar ashpër pas rrëzimit të marrëveshjes ujore nga Gjykata Kushtetuese. 24 orë pas vendimit, ka folur vetë ministri plotësues i Jashtëm i Greqisë, Dimitris P. Droutsas, i cili është shprehur thellësisht i zhgënjyer për rrëzimin e marrëveshjes. Drejtuesi i lartë i diplomacisë greke ka deklaruar se “ndjehemi të zhgënjyer dhe ky vendim nuk na bën të lumtur, por jemi në pritje të detajeve të vendimit”. Droutsas ka theksuar se nuk është në natyrën e Ministrisë së Jashtme të komentojë vendimet e gjykatave, por më pas ka shtuar se Athina është në pritje të shpjegimeve dhe propozimeve konkrete nga Tirana zyrtare për zgjidhjen e çështjes dhe sesi do të procedohet më tej. Në deklaratën për mediat, ministri plotësues i Jashtëm i Greqisë, bëri të ditur se “zyrtarët e Shqipërisë më kanë argumentuar domosdoshmërinë e kësaj marrëveshjeje gjatë vizitës që zhvillova në Tiranë para disa kohësh”. Dukras ka shtuar më pas se do të takohet urgjentisht me shefin e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, të cilit do t’i kërkojë shpjegime për situatën.
Kushtetuesja
Një ditë pas votimit për rrëzimin e marrëveshjes së ujërave ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vetëm një pjesë të motivimit që shoqëron vendimin e saj. Në këtë shkresë, theksohet se vendimi është marrë sepse marrëveshja mes Tiranës dhe Athinës, e cila është firmosur nga ministrat e Jashtëm të asaj kohe, Basha dhe Bakojani, gjatë vizitës së Kryeministrit grek Karamanlis në Tiranë, shkelte në mënyrë të hapur ligjet shqiptare dhe konventat ndërkombëtare. Në pjesën e vendimit që ka zbardhur dje institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit shqiptar theksohet: “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njofton se në mbledhjen e saj të datës 26.01.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projektmarrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë ‘Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare’. Gjykata Kushtetuese thekson se në projektmarrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982”. Ndërkaq vendimi i arsyetuar dhe i detajuar i Kushtetueses do të vihet në dispozicion në një kohë tjetër “të përshtatshme”. Vendimi është marrë dy ditë më parë në orët e mbrëmjes, ku është kthyer nul pakti mes dy shteteve. Me këtë veprim, tani Ministritë e Jashtme të të dyja shteteve do të duhet të rinegociojnë të gjithë tekstin e marrëveshjes apo edhe pjesërisht.
Kundërshtimi
Në Athinë, tashmë nuk është më qeveria konservatore e zotit Karamanlis që e ka firmosur, por kabineti i qendrës së majtë i Kryeministrit Jorgos Papandreu. Por vendimi i Kushtetueses nuk ka qenë një surprizë, pasi pak muaj më parë, institucioni që interpreton ligjin themeltar ka urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të kësaj marrëveshjeje, veprim që ka qenë në fakt preludi i vendimit të së martës mbrëma. Marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë është kundërshtuar si nga opozita ashtu edhe nga ekspertë dhe intelektualë shqiptarë. Opozita, e drejtuar nga Partia Socialiste, ka qenë ankimuesja zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Por edhe shumë ekspertë të ndryshëm. Kështu ish-drejtori i hartografisë ushtarake, koloneli në pension, Myslym Pashaj, e ka kundërshtuar fuqishëm këtë marrëveshje, pasi sipas tij shkelen dy parime të Konventës Ndërkombëtare që janë parimi i baraslargmërisë dhe parimi e paanësisë. Pashaj ka theksuar se në bazë të marrëveshjes, Greqia fiton tre herë hapësirë detare në raport me Shqipërinë. Ndërkaq, edhe politikanë veteranë, kanë pasur rezervat e tyre për paktin mes Berishës dhe Karamanlisit. Kështu presidenti i nderit i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, si dhe ish-nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, kanë kërkuar rishikimin e tekstit të marrëveshjes. Politikani dhe historiani Xhufi ka shkuar më larg në akuzat e tij, duke e krahasuar me shitjen e Shën Naumit Jugosllavisë së para Luftës së Dytë Botërore.
#