1300 mësues largohen nga puna, në shkurt

Këshilli i Ministrave rinovon kontratat e përkohshme vetëm për 704 punonjës
Rreth 1300 mësues të sistemit parauniversitar, që punojnë me kontrata të përkohshme do të duhet që të lënë radhët e arsimit. Shkak për këtë është bërë mungesa e rinovimit të kontratave të tyre. Nga 2011 mësues me kontrata të përkohshme deri në janar, vetëm 704 të tillë do të kenë mundësi që të mbyllin vitin shkollor në krye të detyrës. Këtyre të fundit u zgjatet kjo kontratë deri në fund të muajit qershor të këtij viti.
Vendimi
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është marrë vendimi edhe për kontratat e përkohshme të mësuesve të punësuar nga Ministria e Arsimit. Kështu, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi që: “Numri i punonjësve mësimorë, me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2009-2010, për muajin janar 2010, të jetë 2011 veta dhe, për periudhën 1 shkurt - 30 qershor 2010, të jetë 704 punonjës”. Rrjedhimisht, diferenca e mësuesve të kontraktuar në mënyrë të përkohshme e që deri tani kanë ushtruar profesionin në radhët e arsimit, mbetet jashtë. Kontratat e tyre nuk janë rinovuar.Gjithashtu, në vendimin e djeshëm të qeverisë saktësohet fakti se efektet financiare në shumën 290 460 465 (dyqind e nëntëdhjetë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të mbulohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në buxhetin e vitit 2010. Për të zbatuar këtë vendim janë ngarkuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Financave. Ai merr fuqi të menjëhershme ligjore dhe gjithashtu, do të botohet në Fletoren Zyrtare.
Sindikatat
Rreth një vit më parë, Konfederata e Sindikatave të Mësuesve, në një deklaratë bëri publike shkeljen e Kodit të Punës nga ana e Ministrisë së Arsimit lidhur me mosrinovimin e kontratave për rreth tre mijë arsimtarë. Në atë kohë, pretendimi i ngritur ishte se këto kontrata nuk mund të shkeleshin gjatë vitit shkollor. Ish-ministri i atëhershëm i Arsimit, Fatos Beja, u detyrua të tërhiqej, duke e konsideruar si një keqinformim qëndrimin e sindikalistëve. Kjo tërheqje e MASH korrespondoi edhe me vitin elektoral, atë të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit 2009.
Punësimi
Shumë të rinj që përfundojnë studimet në degët e Mësuesisë dhe që aplikojnë për t’u punësuar në arsim nuk arrijnë që të bëhen pjesë e këtij sistemi. Kjo për shkak të mundësive të kufizuara që ofron sistemi arsimor. Janë me dhjetëra dosjet e të rinjve që qëndrojnë në të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore në rrethe, e veçanërisht në Tiranë, në pritje të një përgjigje pozitive për të filluar punë si mësues.
Po kështu, një tjetër problem shqetësues i ngritur herë pas here edhe në zyrat e Ministrisë së Arsimit është emërimi i mësuesve jashtë profilit, në lëndë për të cilat ata kanë thjesht njohuri bazë, por nuk janë të specializuar. Një fenomen i tillë takohet më shpesh në zonat rurale dhe ato të thella, por nuk mungon as në periferinë e kryeqytetit shqiptar.
#