E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athina: Me rëndësi ajo që presim

Ministria e Jashtme greke: Do ta ndihmojmë Shqipërinë në këtë proces
Athina zyrtare ka përshëndetur nismën e fundit të qeverisë shqiptare për të regjistruar popullsinë në vitin 2011, madje ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e saj. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Gregory Delavekouras, ka deklaruar dje se e konsiderojnë si një hap pozitiv. Gjatë një konference për shtyp të dhënë dje, Delavekouras deklaroi se “regjistrimi i fundit që është zhvilluar në Shqipëri ka qenë i vitit 2001. Kjo domosdoshmëri është theksuar në të gjitha dokumentet europiane, siç është Progres-Raporti i fundit për Shqipërinë, ku theksohet nevoja për një regjistrim të ri, të cilin ne e dimë që do të zhvillohet brenda vitit 2011.
Nga ajo që dimë, komisioni kompetent ka finalizuar pyetësorin që do ta përballë me qytetarët. Ky është një zhvillim pozitiv i rëndësishëm”. Por pjesa përshëndetëse ka qenë vetëm një pjesë e qëndrimit të dhënë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, i cili në pjesën e dytë të deklaratës së tij ka dhënë një paralajmërim të qartë ndaj Tiranës zyrtare në lidhje me kërkesën që Athina ka për çështjen e minoritetit grek në Shqipëri. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Gregory Delavekouras, deklaroi se “më e rëndësishme është ajo që presim nga regjistrimi i popullsisë. Ai duhet të ketë një metodë thelbësore, pra që të reflektojë realitetin. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë për gjithçka, që regjistrimi të jetë i suksesshëm”.
Realisht kemi një ndryshim thelbësor të qëndrimit të qeverisë greke krahasuar me kabinetin e mëparshëm konservator të Kryeministrit Kostas Karamanlis. Herët e tjera, deklaratat zyrtare të Athinës kanë qenë më eksplicite në lidhje me minoritetin grek, ndërsa socialistët e Papandreut kanë një qëndrim më të moderuar. Megjithatë, Athina ka mbështetur metodologjinë e miratuar nga qeveria shqiptare për regjistrimin e popullsisë, që gjithashtu ka edhe përkrahjen si të PBDNJ-së, por edhe të pjesës minoritare që tani është pjesë e Partisë Demokratike.
Një komision qeveritar i drejtuar nga ministri i Shtetit, Genc Pollo, e ka bërë gati pyetësorin në të cilin qytetari do të deklarojë përkatësinë etnike dhe atë fetare. Gjatë një interviste të dhënë për “Shqip”, ministri Pollo ka deklaruar se “krahas katër besimeve tradicionale, secili nga 3,2 milionë të anketuarit do të ketë mundësi të deklarojë një besim tjetër apo edhe asnjë besim”. Por kjo nismë është kundërshtuar nga politikanë të ndryshëm, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe botës universitare, të cilët e konsiderojnë një praktikë që mund të rrisë artificialisht numrin e pakicave të ndryshme apo edhe komuniteteve fetare, pasi në Shqipëri nuk ka një regjistër të mirëfilltë të numrit të besimtarëve, ndërkohë që duhet saktësisht numri i qytetarëve të pakicave etnike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›