Policia, reformë për 3000 punonjës civilë

Punonjësit me gradë do të kalojnë në struktura operacionale. Rikthim edhe për oficerë në dispozicion
Lëvizjet e personelit në polici, rreth 3 mijë, nuk kanë të sosur. Një tjetër valë ndryshimesh sapo ka filluar në radhët e uniformave blu, por këtë herë nëpërmjet një mekanizmi të ri. Ndryshimet nuk janë vetëm në rolet e efektivit operacional, por edhe në atë mbështetës. Një veprim i tillë ishte paralajmëruar edhe nga kreu i policisë, Hysni Burgaj, i cili sapo u emërua drejtor i Përgjithshëm, deklaroi se do të ketë ndryshime për përmirësimin e punës së këtij institucioni të rëndësishëm të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike. Me këtë reformë, punonjësit e policisë me gradë do të kalojnë nga strukturat civile, në ato operacionale. Gjithashtu, specialistët po rishikojnë efektivët në dispozicion për shkak të reformës, për të plotësuar vende vakante në polici. Siç dihet, Policia e Shtetit, me ligjin e ri “u nda” në dy pjesë, atë operacionale dhe atë të shërbimeve mbështetëse.
Dallimi mes tyre qëndron se shërbimet mbështetëse merren vetëm me prapavijën dhe në vitin 2011 do kalojnë si administratë dhe nuk do të kenë grada. Ndryshe ndodh me operacionalet. Megjithatë, një pjesë dërmuese e funksioneve të shërbimeve mbështetëse, aktualisht mbulohen nga oficerë të mirëfilltë karriere në polici, të cilët do të mbajnë gradën për aq sa është përcaktuar dhe më pas u takon të kalojnë në funksion civil. Për këtë arsye është menduar edhe reforma e radhës. Sipas të dhënave policore, këta oficerë po zhvendosen dita-ditës nga shërbimet mbështetëse, tek ato operacionale. Lëvizja e tyre po kryhet duke plotësuar vendet bosh që krijohen në strukturat policore, por nga ana tjetër duke krijuar hapësira për rolet civile. Kështu, disa ndryshime të tilla janë kryer kohët e fundit dhe oficerët janë emëruar në detyra të ndryshme, por kanë mbetur vakante rreth 30 vende në shërbimet mbështetëse.
Reforma “e re”
Por, ndryshimet nga shërbimet mbështetëse në strukturat operacionale, nuk kanë kaluar lehtë. Veç vendeve vakante, policia ka pësuar edhe lëvizje të tjera, që sipas të dhënave bëhen për shkak të ndryshimit të strukturave. Gjithashtu, probleme ka pasur për funksione të veçanta, sidomos në funksionet e shërbimeve mbështetëse, ose siç është edhe pjesa e policisë shkencore. Sipas të dhënave policore, ndryshimet gjatë kësaj kohe kanë prekur disa drejtori në qarqe të ndryshme të vendit, pavarësisht se nuk kanë qenë në përmasa të mëdha. Në këtë “reformë” nuk kanë munguar as lëvizjet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, apo në drejtoritë e kufirit, duke rikthyer në vëmendje edhe njëherë problemin e ngritur nga të huajt kohë më parë.
Pikërisht kur u ndërmorën reformat e mëdha në polici, misionet e huaja të policisë deklaruan se po hiqeshin nga puna specialistë të trajnuar me teknologjinë e informacionit për kufirin, ku tashmë janë implementuar një sërë sistemesh për sigurinë e tyre. Megjithatë, këto vihen re vetëm tani që policia po kërkon specialistë me role civile, pikërisht në këto struktura. Mungesa e tyre dhe vënia në funksion e pajisjeve elektronike në çdo pikë kufitare, ka bërë që ata të jenë të domosdoshëm në këto struktura. Aktualisht në tetë drejtori rajonale të kufirit janë në procedurë emërimi specialistë për Teknologjinë e Informacionit.
Lëvizjet që priten
Ndërkaq, burimet nga policia shpjegojnë se gjatë muajit shkurt mund të ketë ndryshime të tjera në radhët e policisë. Sipas të dhënave, ndryshimet mund të prekin në nivelin e shefit të komisariatit dhe më poshtë, por nuk përjashtohen mundësitë edhe për lëvizje drejtorësh. Vende vakante janë krijuar edhe në funksionet operacionale, ku drejtuesit e policisë kanë nisur punën për të rikthyer oficerë karriere, të cilët kanë dalë në reformë më parë dhe që aktualisht quhen se janë në dispozicion. Sipas të dhënave, një grup pune shikon dosjet e tyre, pasi ata nuk janë të larguar përfundimisht nga policia dhe nëse vendet vakante përshtaten me funksionin dhe gradën e tyre, atëherë ka mundësi që disa prej tyre mund të rikthehen me punë të rregullt në radhët e uniformave blu. Vitin që shkoi pati një sërë ndryshimet në funksionet e drejtorëve të policisë në qarqe, për të cilat është kërkuar informacion edhe nga të huajt. Në atë kohë u ngritën shqetësime se lëvizjet janë kryer në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit. Një ndër pikat e tij, siç deklarojnë burimet policore, është neni 53. Pikërisht ky nen flet për caktimin e detyrave dhe transferimin e punonjësve të policisë. Në pikën 3 të këtij neni deklarohet se punonjësi i policisë njoftohet të paktën një muaj për vendimin për transferimin e tij jashtë rrethit, ku aktualisht banon. Ndërsa në pikën katër po të nenit 53 deklarohet se “pika 3 e këtij neni nuk zbatohet kur transferimi bëhet për nevoja të ngutshme shërbimi. Në këto raste transferimi nuk duhet të jetë më shumë se dy muaj”.
Duke marrë shkas nga këto dy pika të ligjit, rezulton se asnjë prej tyre nuk është njoftuar një muaj para për lëvizjet paralele, ose emërimet e reja, pavarësisht se ishin në detyrë në njërën anë të Shqipërisë e janë emëruar në anën tjetër të saj. Kjo ka sjellë edhe shkelje të ligjeve të tjera, që flasin për transferimet, pasi siç dihet edhe me vendim të qeverisë, një punonjës policie kur transferohet nga një detyrë në tjetrën, kur nuk është në të njëjtin qark, duhet të rehabilitohet me kushtet jetësore, siç janë banesa, familja, ushqimi dhe puna e anëtarëve të tjerë të familjes.
#