E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina e pakënaqur me Berishën, “injorojnë” Tiranën

Ftesës së homologut shqiptar, Edmond Panariti i ishte përgjigjur pozitivisht ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dhimitris Avramopoulos, për të festuar bashkë me shqiptarët festën e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Por, ndërkohë që pritej të mbërrinte në Tiranë, ministri grek e ka anuluar vizitën e tij në Shqipëri në momentet e fundit.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë thuhet se Avramopoulos e anuloi në momentin e fundit vizitën e tij në Tiranë, duke shprehur kështu pakënaqësinë e qeverisë greke për deklaratat e kryeministrit shqiptar gjatë festimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, shkruan albania observer.

Deklarata të kësaj natyre nuk pajtohen me krijimin e një klime miqësore, besimi dhe fqinjësie të mirë midis dy vendeve, si dhe në zhvillimin e nismave të përbashkëta në sektorë të interesit të përbashkët, si në politikë, ekonomi apo sektorin energjetik, thuhet në aryseitm për anulim të vizitës.

Bëhet me dije se agjencia italiane e lajmeve, ANSA, në një shkrim të saj ka shkruar se kryeministri Berisha po riluan me kartën e Shqipërisë së Madhe.

Kjo agjenci është bazuar në fjalën që Berisha mbajti ditën e djeshme gjatë përurimit të bustit të Adem Jasharit.

“Sot ne jemi këtu nga të gjitha trojet etnike shqiptare, kemi vendosur lule dhe ndjehemi krenarë me ju, komandant, por sot jemi këtu edhe për t’u zotuar solemnisht se të frymëzuar nga vepra jote, nga legjenda jote dhe qindra mijëra heronjve e martirëve të këtij kombi, do të bëjmë gjithçka që ta shndërrojmë përfundimisht në realitet idealin e shenjtë për të cilin t’i bëre sakrificën më sublime, për të cilën shqiptarët gjatë një shekulli ranë për t’u bërë të pavdekshëm në altarin e kombit tonë, për të bërë realitet ëndrrën e bashkimit kombëtar, si ëndrra më e bukur, si ëndrra e vërtetë evropiane e këtij kombi.

Ndaj, duke të shprehur edhe një herë mirënjohjen më të thellë, le të punojmë ne të gjithë krenarë me heroizmin tënd, të frymëzuar nga trimëria e jashtëzakonshme jotja, të ushqyer nga vizioni dhe ideali yt për një komb shqiptar të bashkuar në të gjitha trojet e tij etnike”, ishte një pjesë nga fjala e Berishës, që e ka cituar ANSA./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›