VV: Bashkimi Kombëtar, e drejtë legjitime

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, ka thënë se ideja e Shqipërisë së Madhe është një provokim.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka vizion Bashkimin Kombëtar, vlerëson se kjo kërkesë e shqiptarëve është legjitime.
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka thënë për Indeksonline se shqiptarët duan bashkimin kombëtar të të gjitha trevave ku ata jetojnë dhe kjo kërkesë është shumë legjitime.
Ajo ka thënë se termi Shqipëri e Madhe, është produkt i propagandës serbe.
“Termi Shqipëri e Madhe është produkt i propagandës serbe që vazhdimisht e ka përdorur në qarqe diplomatike, për ta penguar bashkimin kombëtar të shqiptarëve” ka thënë ajo, duke shtuar se serbët duke synuar Serbinë e Madhe, vazhdimisht ka folur për rrezikun e Shqipërisë së Madhe.
Dërguti ka thënë se Serbia ende ka pretendime që siç është mësuar të zgjerohet në toka të huaja.
“Nuk duhet ta harrojmë se gjysma e territorit të Serbisë së sotme, ka qenë shqiptare deri para Kongresit të Berlinit, kur qindra mijëra shqiptarë janë dëbuar nga trojet e tyre. Gjithashtu, ne jemi dëshmitarë sesi veproi Serbia në shkurt të vitit 2000, kur i dëboi shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës. Pra, Serbia është mësuar të zgjerohet në toka të huaja dhe ka pretendime edhe sot. Bashkimi i shqiptarëve në një shtet do të krijonte një balanc të forcave në Ballkan, që do t’ia pamundësonte planet ekspansioniste të Serbisë drejt tokave shqiptare, me synimin për të siguruar dalje në det. Të ndarë e të përçarë, na duan armiqtë” ka thënë Dërguti për Indeksonline.
Ndërkohë, deputetja Rada Trajkoviç ka thënë se shqiptarët me rastin e festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë, kanë bërë deklarata provokuese duke kërkuar Shqipërinë e Madhe.
Sipas saj, shqiptarët po vazhdojnë të jetojnë me idenë e Bashkimit Kombëtar dhe bërjen e Shqipërisë së Madhe./T.Q/Indeksonline/