E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina, notë proteste ambasadës turke për deklaratat e Yilmaz

ATHINE - Ministria e Jashtme i ka dërguar notë proteste ambasadës turke në Athinë pas deklaratave të ish kryeministri turk, Mesut Yilmaz, sipas të cilave, agjentët turq kanë djegur pyjet greke gjatë periudhës 1995-1997. 

Sic shënon ministria në komunikim përkatës, "pavarësisht nga tentativa e përgënjeshtrimit (dje) nga ana e z. Yilmaz, kërkohet hetimi i këtyre deklaratave dhe i referimeve përkatëse që u bënë publike, si dhe informimi përkatës i palës greke për çdo të dhënë tjetër që ka lidhje me këtë cështje". 

"Përderisa këto informata mbeten pa u hetuar më tej helmojnë opinionin publik dhe minojnë përpjekjet për të ndërtuar marrëdhënie besimi mes dy popujve. Instruksione të ngjashme u dhanë edhe në ambasadën greke në Ankara", thuhet në notën e protestës. 

Dje ish-kryeministri, Mesut Yilmaz foli për shtrembërim të deklaratave të tij, duke marrë mbrapsht deponimin për zjarrvënie në pyjet greke nga agjentët turq dhe duke pretenduar se, ai kishte folur për zjarrvënie në pyjet në Turqi. 

Përgjegjësi i partisë DRe për politikën e jashtme, Panos Panajotopulos vë në dukje se "përpjekja e ish kryeministrit turk Mesut Yilmaz për të hedhur poshtë ato që zbuloi mbi përzierjen e shërbimeve sekrete turke në zjarrvëniet në pyjet greke është, e pakta, qesharake, prandaj ai më shumë konfirmon se sa përgënjështron, të vërtetën e denoncimeve që bëri". 

"Zbulimet Yilmaz konfirmojnë se, veprimet e shërbimeve sekrete në mes të shteteve kapitaliste janë një praktikë e zakonshme që qeveritë fshehin nga popujt", komentoi në deklaratë e saj Partia Komuniste. 

Nga ana e tij përfaqësuesi i Alarmit Ortodoks Popullor (LA.OS) z. Aivaliotis vuri në dukje se "korrigjimi i mëpasshëm i z. Yilmaz është shumë i përshtatshëm për të dy brigjet e Egjeut". 

"Qeveria greke duhet të kërkojë shpjegime dhe të dhëna sa nga z.Yilmaz aq dhe nga qeveria turke", komentoi nga ana e tij deputeti i SYRIZA, Dhimitris Papadhimulis.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›