E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë protesta, mbi 200 të ndaluar, 13 policë të plagosur

ATHINE- Trembëdhjetë policë janë plagosur gjatë përleshjeve me të rinjtë që ndodhi mbrëmë, në qendër të Athinës. Protesta vijoi në fund të marshimit që përkujtoi revoltën e studentëve të 1973.

Qindra të rinj të vetëdeklaruar anarksitë hodhën gurë në drejtim të policisë, i vunë zjarrin kazanëve të plehrave e shkatërruan makina në qendër të Athinës, pasi më shumë se 12 mijë demostrues morën pjesë në marshimin paqësor drejt ambasadës amerikane.

Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e të rinjve. Një person është arrestuar zyrtarisht dhe më shumë se 200 të tjerë janë ndaluar për mbajtje të bombave apo goditje me gurë ndaj policisë.

“Gjatë përleshjes 13 policë janë plagosur, njëri prej tyre në gjëndje më të rëndë, ndërsa qindra të rinj janë ndaluar” deklaroi një zyrtar i policisë i cili kërkoi të mos identifikohej, citon agjencia e lajmeve Reuters. Ai tha se nuk ka pasur të lënduar mes protestuesve.

Një marshim i ngjashëm me atë të kryeqytetit të Greqisë është zhvilluar dhe në Selanik. Mijëra persona kanë marrë pjesë në marshim, i cili më pas ka degjeneruar në dhunë. Mësohet se ka pasur të ndaluar dhe dëme materiale.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›