E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Kisha refuzon taksat e reja për pronat e saj

ATHINE - Kisha orto-dokse greke njoftoi se "do të refuzojë të paguajë për gabimet e të tjerëve, dhe nuk do ta pranojë rritjen e jashtëzakonshme të taksave për pronat e saj të paluajtshme", një vendim që u mor nga qeveria për t'u përballur me krizën financiare.

“Nuk ka asnjë luftë apo tragjedi natyrore që kërkon kontributin tonë special", - deklaroi peshkopi Theoklitos i Janinës, përgjegjësi për financat e kishës ortodokse në Greqi, duke theksuar se kisha, "që është një institucion social", nuk është e detyruar të pranojë trefishimin e taksës që është shpallur nga qeveria. "E kërkojnë këtë kontribut ekstra për shkak të falimentimeve politike dhe ekonomike, prandaj refuzojmë të paguajmë për gabimet e të tjerëve", - deklaroi ai. Peshkopi shpjegoi se "pagimi i taksës së trefishuar mund të vërë në rrezik 800 iniciativa filantropike". "Qeveria keqinformon kur thotë se po kërkon t'i marrë kishës për t'ua dhënë të varfërve. Ata ua marrin të varfërve, për t'ua dhënë të varfërve", - deklaroi peshkopi.

Zëdhënësi i qeverisë, Giorgio Petalotis reagoi duke ritheksuar vullnetin e qeverisë për të vendosur taksën shtesë. Qeveria greke ka llogaritur se nga vendosja e taksës shtesë për pronat e paluajtshme të privatëve, të enteve dhe kishës, do të mbledhë rreth 1 miliard euro më tepër. Kisha ortodokse greke disponon prona që arrijnë vlerën e 700 milionë eurove, nga të cilat nxjerr fitimet e saj. Në vitin 2008, pikërisht nga pronat e saj kisha përfitoi 7 milionë euro. Në përgjithësi paratë i përdor për mirëmbajtjen e strukturave klerikale dhe financimin e iniciativave filantropike.
(s.g/ANSA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›