Ati i Shenjtë vlerëson praktikën e ndarjes së Kishës nga shteti
Gjatë një vizite në në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI vlerëson se Kisha Katolike po bashkëpunon me shtetin për të mirën e përbashkët të shoqërisë
Për herë të katërt në histori, një papë shkoi për vizitë në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë, e cila gjendet në Romë, në Pallatin e lashtë Borromeu, në rrugën Flaminia. Benedikti XVI ndodhej atje dje paradite, për të theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shtetit e Kishës, pavarësisht nga ndarja e roleve dhe e detyrave. Gjatë vizitës, Papa iu drejtua me dy fjalime të ndryshme, autoriteteve diplomatike dhe punonjësve të ambasadës. Gjithashtu, u lut në kapelën e saporestauruar të pallatit dhe admiroi një kryq të lashtë të Mikelanxhelo Buonarrotit. Ky kryq i drunjtë, i blerë kohët e fundit nga Shteti italian, i atribuohet skulptorit e piktorit të famshëm, Mikelanxhelo e, Papa qëndroi para tij për disa minuta, duke dëgjuar shpjegimet e Ambasadorit italian pranë Selisë së Shenjtë, Antonio Xanardi Landi dhe të drejtorit të Muzeve të Vatikanit, prof. Antonio Paoluçi.
Megjithëse e ndarë nga punët e një shteti – shpjegoi Ati i Shenjtë, gjatë vizitës – Kisha ka për detyrë të kërkojë respektimin në jetën shoqërore e publike, të atyre parimeve morale që nxisin dinjitetin e personit dhe të mirën e përbashkët. Në të kaluarën, edhe papë të tjerë kanë kapërcyer pragun e Pallatit Borromeu, seli e ambasadës që nga viti 1929, por i ndërtuar para 450 vjetësh. Papa Piu XII e pati vizituar më 1951, Pali VI në vitin 1964 e Gjon Pali II në vitin 1986. Duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe shtetit italian, të cilët në shkurtin e ardhshëm festojnë 80-vjetorin e Pakteve Lateranense dhe 25-vjetorin e Konkordatit, Benedikti XVI tha: “Kemi të bëjmë me një mirëkuptim shumë të rëndësishëm e domethënës në situatën aktuale botërore, në të cilën vazhdimi i konflikteve dhe i tensioneve ndërmjet popujve e bën gjithnjë e më të nevojshëm bashkëpunimin me të gjithë ata, që kanë të njëjtat ideale të drejtësisë, solidaritetit e të paqes”. Një bashkëpunim i tillë, vazhdoi Papa Racinger, vë në dukje “ndarjen” dhe “autonominë” e Shtetit nga Kisha, progres i madh ky për njerëzimin e edhe për vetë Kishën, “një kusht themelor për lirinë e saj” e për “plotësimin e misionit universal të shpëtimit në gjirin e të gjithë popujve”: “Por, njëkohësisht, Kisha e ndjen për detyrë, duke ndjekur direktivat e doktrinës së vet shoqërore (…) të rizgjojë në shoqëri, forca morale dhe shpirtërore, duke kontribuar në hapjen e vullnetit ndaj kërkesave të vërteta të së mirës. Prandaj, duke përmendur vlerën që kanë për jetën jo vetëm private, por edhe, e sidomos publike, disa parime themelore etike, në fakt, Kisha kontribuon në garantimin e promovimin e dinjitetit të njeriut e në të mirën e përbashkët të shoqërisë, e në këtë kuptim, realizohet bashkëpunimi i vërtetë ndërmjet Shtetit e Kishës”. Para fjalimeve zyrtare, për nder të Benediktit XVI u dha një koncert i shkurtër nga një kuartet harqesh. Papa u ndalua fillimisht në kapelën e restauruar, kushtuar Shën Karl Borromeut, të cilit, kur ishte kardinal e Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i ungji, Papa Piu IV i bëri dhuratë rezidencën, ku sot e ka selinë Ambasada e Italisë pranë Vatikanit. Shën Karl Borromeu njihet si “engjëlli i të molepsurve” për bamirësitë e panumërta në kohën kur Milano ishte përfshirë nga murtaja. Papa Racinger e përmendi me këto fjalë:
“Rruga njerëzore dhe shpirtërore e përshkuar nga Shën Karl Borromeu tregon se si Hiri Hyjnor mund ta shndërrojë zemrën e njeriut dhe ta bëjë të aftë për një dashuri ndaj vëllezërve, që shkon deri në flijimin e vetvetes”. Pak para mesditës së djeshme, Benedikti XVI përshëndeti autoritetet dhe punonjësit e ambasadës me urimet për Krishtlindjen, drejtuar Kreut të Shtetit italian, Xhorxho Napolitano e krejt popullit të gadishullit, por jo vetëm atyre: “Urimi im i paqes përqafon më pas të gjitha vendet e botës, qofshin apo jo zyrtarisht të përfaqësuar pranë Selisë së Shenjtë. Është një urim për dritë e përparim të vërtetë njerëzor, për begati e pajtim, realitete këto, drejt të cilave mund të aspirojmë me shpresë e besim, sepse janë dhurata, që Jezusi i ka bërë botës duke lindur në Betlehem”.
Dokument i ri i Kishës mbi bioetikën: t’i njihen çdo personi, që nga zënia, të drejtat e njeriut/“Çdo personi, që nga zënia deri në vdekjen e natyrshme, i duhet njohur dinjiteti njerëzor”: fillon kështu Udhëzuesi “Dignitas personae” (Dinjiteti i njeriut) i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, paraqitur dje paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Dokumenti trajton disa çështje të bioetikës dhe është vazhdim i Udhëzuesit “Donum vitae” (Dhuratë jete) botuar nga i njëjti dikaster në vitin 1987. Reflektimi sillet rrotull embrionit njerëzor dhe të drejtave të tij të patjetërsueshme. Niset nga “një “po” e madhe për jetën njerëzore”, për të vazhduar me një seri “jo”-shë, të cilat duhen kuptuar pozitivisht, ashtu si të gjitha “jo”-të e njerëzimit kundër racizmit, skllavërisë, diskriminimit. Prandaj, “jo” punës kërkimore-shkencore mbi qelizat embrionale, “jo” kriokonservimit të embrioneve, “jo” përdorimit të pilulës së një dite më pas, Ru 486, përdorimit të spirales e të gjithë kontraceptivëve, që mund të shkaktojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi, abortin. “Jo” edhe teknikave të fekondimit artificial, klonimit njerëzor e atij me qëllim terapeutik, “jo” përdorimit të qelizave embrionale për eksperimentim edhe kur ligji e lejon, “jo” përzgjedhjes gjenetike të embrioneve të fëmijëve. Në asnjë rast, njeriu nuk duhet të zëvendësojë Krijuesin. Në tekst, pohohet se familja përbën zanafillën e jetës njerëzore, se njeriu është krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit e se dashuria ndërmjet burrit e gruas është pasqyrë e dashurisë trinitare, prandaj Vatikani dënon çdo formë fekondimi artificial, duke pranuar vetëm ato raste kur kjo teknikë ndihmon bashkëshortët dhe fekondimin natyror brenda familjes. Teknika është e pranueshme gjithashtu për gratë me tumor, që kanë dëshirë të kenë fëmijë pas kurave. Kongregata për Doktrinën e Fesë përdor fjalë të ashpra edhe kundër diagnostikimit preimpiant. “Ky diagnostikim - lexohet në dokument – është një formë diagnostikimi para lindjes, lidhur me teknikat e fekondimit artificial, që parashikojnë diagnostikimin gjenetik të embrioneve të krijuar në epruvetë, para transferimit të tyre në barkun e nënës. Ai bëhet me qëllim që të ekzistojë siguria e transferimit tek nëna vetëm e embrioneve pa difekte, ose me seks të përcaktuar, ose me cilësi të veçanta”. Prandaj, shpjegohet në Udhëzues, “ndryshe nga forma të tjera të diagnostikimit para lindjes, diagnostikimi preimpiant ndiqet zakonisht nga eliminimi i embrionit që dyshohet se ka difekte gjenetike apo kromozomesh, ose është i një gjinie apo ka cilësi të padëshiruara”. Kjo përzgjedhje e embrionit çon drejt abortit, prandaj është e pamoralshme e duhet konsideruar juridikisht e papranueshme. Përsa i përket zbatimit të inxhinierisë gjenetike me qëllim përmirësimin apo fuqizimin e kodit gjenetik të një personi - vazhdon më tej dokumenti - duhet të kemi parasysh se manipulime të tilla mund të favorizojnë “një mentalitet eugjenetik” dhe mund të krijojnë një diskriminim shoqëror për ata që nuk kanë talente të veçanta. Gjithashtu, mund të fuqizojnë talente apo aftësi të një kulture apo shoqërie të caktuar, që nuk përbëjnë në vetvete karakteristika thelbësore të njeriut. “Kjo - pohohet në tekst - do të binte ndesh me të vërtetën themelore mbi barazinë e të gjitha qënieve njerëzore, që ushqen parimin e drejtësisë, dhunimi i të cilit, me kohë, do të kërcënonte bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve”. Përpjekja për të krijuar të ashtuquajturin “njeriun e ri” – përfundon Udhëzuesi “Dignitas personae” – mban në vetvete një përmasë ideologjike, sipas të cilës njeriu pretendon të zëvendosjë Krijuesin e vet. Dihet mirë, se përpjekje të tilla kanë dështuar në të gjitha kohërat.
Marrë nga Radio Vatikani