Konvertimi, tregues i laramanizimit që ekziston në Rrafshin e Dukagjinit
Gjatë një interviste për “Illyria-n”, gazetari i njohur Bajram (Gjergj) Kabashi, autor i librit “Rilindja-përkushtim e trishtim”, flet për vendimin e konvertimit në fenë katolike, që ai dhe mjaft bashkëvendas nga familjet Kabashi, Mehaj e Maksutaj, si dhe banorë të tjerë nga Istogu ndërmorën në verën e këtij viti
- Libri juaj i fundit titullohet: ‘Rilindja - përkushtim e trishtim’ Cili ka qenë përkushtimi juaj e cili trishtimi gjatë punës në gazetën Rilindja?
Ndoshta pa e dhënë shpjegimin e hollësishëm, titulli i librit në një mënyrë na e sugjeron domethënien që e ngërthen në vete. Në Rilindje kam punuar që nga 1 dhjetori i vitit 1982, d.m.th. pak pasi i kisha mbaruar studimet në letërsi, e deri kur u desh ta braktisja Kosovën me 1 prill të vitit 1999, kur forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe na dëbuan nga Atdheu ynë e na shndërruan në refugjatë lufte. Atëherë, së bashku me familjen time e qindra mijëra shqiptarë të tjerë, fëmijë, të rinj, të moshuar, pleq e plaka, na drejtuan “korridoreve” të parapërgatitura për zbrazjen e Kosovës. Ne si familje për një muaj mbetëm në baltën e Bllacës e të Stenkovecit në Maqedoni, ku sa vinte shtohej masa e pafund e atij populli të mjerë që me tesha e kotesha detyrohej ta braktiste vendin nga Serbia e Slobodan Milosevic-it. Gjatë gjithë atyre viteve, unë - sikurse gjithë ai popull - kemi jetuar në rrethana robërie. Dëshmitar i atyre ngjarjeve të bujshme e trishtuese njëherit ke qenë edhe vetë ti, Vehbi Bajrami, qoftë si student i sapoardhur nga Presheva jonë, për të studiuar letërsi në Prishtinë, qoftë edhe si gazetar e redaktor i gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, ‘Bota e re’. Fundja, një kohë patëm banuar së bashku me ty e Emin Azemin në lagjen Kodra e Diellit, kur ishim dëshmitarë se i gjithë populli ishte në këmbë për ta luftuar padrejtësinë e shërbëtorëve të pushtuesit e të Serbisë që rikthehej për të satën herë si pushtuese. Punën në gazetën Rilindja e kisha në zemër, pata punuar me sinqeritet dhe dashuri profesionale, me përkushtim të shtuar çfarë e kërkonte situata e popullit që kishim obligim njerëzor e profesional ta informonim, pra si shumë idealistë të tjerë edhe unë dhashë për Kosovën krejt çka munda në ditët, në javët, në muajt e vitet më të dhimbshme të jetës sime; kur një ngjarje e rëndë e mbulonte ngjarjen tjetër sa çel e mbyll sytë; kur pikëllimi e trishtimi hetoheshin gjithkah: në gjuhën trupore të njerëzve, në sytë e prindërve, të rinjve e të rejave, të fëmijëve të uritur; në atmosferën e rëndë të shkollave ku punohej pa kushtet elementare për mbajtjen e procesit mësimor etj. Pra, si shumë e shumë të tjerë, kisha vendosur të isha në Kosovë gjatë atyre viteve, të jepja ndihmesën time si gazetar i së përditshmes së vetme në Kosovën e atëhershme, çfarë ishte gazeta ‘Rilindja’ për një kohë të gjatë…
Ka disa vite që jetoni në Norvegji.Vazhdoni të merreni me gazetari?
Qëkur shkela në tokën norvegjeze ka përfunduar marrja ime aktive me gazetari, por jo edhe ajo pasive. Profesionit nuk ia kam kthyer shpinën asnjëherë. Përkundrazi. Këtu kam lexuar më shumë se kurrë ndonjëherë më parë libra të shumtë nga fusha e gazetarisë etj., të tillë që, për fatin tonë të keq, ndoshta duhet të kalojnë decenie derisa do të jenë pranishme për lexuesit shqiptarë në përgjithësi. Se vazhdoj të merrem me gazetari tregon edhe fakti se këtu e shkrova librin tim ‘Rilindja - përkushtim e trishtim’ dhe këtu kam shkruar shumë e shumë shkrime e analiza të tjera për gazetarinë zbuluese etj., të cilat në një kohë më të volitshme për mua do t’i botoj si libra të veçantë...
Ju keni falur tokën në Kosovë për themelimin e Qendrës Kulturore Arbnore ”Papa Klementi”. Cili është misioni i kësaj qendre?
E falenderoj Zotin që për herë të parë në jetën time u bëra i zoti me falë diçka e këtë ma mundësoi jeta në këtë vend të bekuar që quhet Norvegji. Edhe pse ky akt i familjes sime nuk ka arritur të kuptohet drejt nga të gjithë. Kjo për shkak të ekstremizmave që kanë mbirë edhe në shoqërinë shqiptare në Kosovë pas vitit 2000. Vetëm përmendja e ndërtimit të Qendrës Kulturore Arbnore “Papa Klementi” i ka shqetësuar tejmase disa qarqe islamiste politike të cilët Kosova i fitoi si dhuratë danajsh pas çlirimit në qershorin 1999! Edhe nën pushtim Kosova ka pasur njerëz të vetëdijshëm për misionin tonë si komb ndërsa tash iu shtuan edhe këta antishqiptarë që synim e kanë krijimin e njëfarë ”ummeti musliman” në mes të Shqipërisë. Si hap i parë që e ndërmorën ata ishte krijimi i një ndërgjegjeje të re muslimane, një preokupimi politik panislam. Këta e bënë edhe xhamizimin e Kosovës, më të madhin në historinë e këtij vendi shqiptar, duke i tejkaluar në planifikim e precizitet edhe pushtimet e gjata të periudhës osmane. Disa imamë e muhezinë të Kosovës e kanë ngritur kryet më lart se dishepujt e tyre kur ishin jeniçerë e suvarinj të dikurshëm që thernin e masakronin shqiptarë, pra ushtarë besnikë gjakpirës të ”babës mret” prej Stambolli. Për mua shpërdorimi i këtillë i ndjenjave fetare është i trishtueshëm. Them me bindje të plotë se po rrezikohet shqiptarësia e vendit, ndërgjegja kombëtare shqiptare. Thjesht, disa rryma panislamiste me idetë e tyre politike dhe jo fetare, janë krejtësisht antishqiptare. Ato jo që po e mbjellin ”Lindjen” në “Perëndim” - nuk duhet të mbillet as Lindja në Perëndim e as Perëndimi në Lindje - por me dehjen e tyre të qëllimshme edhe njëherë po na vënë në konflikt me botën përreth nesh dhe ne me veten tonë, duke mos dashur ta shohin madje edhe faktin se vetë populli shqiptar nuk mund ta ketë asnjë fe ”mbizotëruese” ngaqë përbëhet prej katër fesh dominante, pra është një popull shumëfetar. Ne nuk mund të ndërtojmë projekte islamike, as ortodokse, as katolike sepse ende nuk kemi arritur të ndërtojmë as projektin tonë themelor: bashkim tonë kombëtar. Prandaj, politizimi i cilësdo fe ndër shqiptarë çon drejt dobësimit të idesë sonë kombëtare... Po të kishim mbetur në mëshirën e shteteve islamike, d.m.th. në ’umetin islamik’ serbët do të na shfarosnin. Këto shtete dinkardashësh jo vetëm që nuk do ta luanin as gishtin e vogël për të na ndihmuar - kuptohet pos në ndërtimin e xhamive – por këto shtete nuk janë në gjendje as sot, kaq muaj pas shpalljes së pavarësisë të pranojnë pavarësinë e Kosovës e cila është fakt i kryer. Ku mbet solidariteti islamik athua? Ku mbeti vëllazëria muslimane? Jo, këta të ashtuquajtur ’vëllezër’ janë më të lidhur me pushtetarët e Milosevic-it, me regjime më kriminale antishqiptare. Pra, kjo është e vërteta. E hidhur. Por e vërtetë. Të krishterët na shpëtuan duke e bombarduar Serbinë me rrezikun e një lufte të re botërore ndërsa muslimanët s’janë në gjendje as të na pranojnë. Të bëjnë një akt të thjeshtë deklarimi. Hajde ’vëllazëri’ hajde...
Në shtypin e Kosovës janë botuar disa shkrime mbi ”konvertimin” e shqiptarëve në fenë katolike. Njëri prej tyre jeni edhe ju. Cilat janë arsyet që e ndërmorët një hap të tillë që u prit me shumë reagime në Kosovë?
U bë një zhurmë artificiale e nxitur kryesisht nga qarqe të caktuara të Bashkësisë Islame të Kosovës, e disa islamistë politikë që nga “nëntoka” e nxitën një fushatë kundër nesh, duke e zbuluar kështu se e drejta e besimit nuk është e lirë siç duhet të jetë në Kosovë. Po, ka pasur shkrime të shumta mbi “konvertimin” tonë në katolicizëm siç e vë me të drejtë nën thonjëza në pyetjen e bërë. Në të vërtetë jemi pagëzuar mbi gjithsej 20 veta nga familja ime, disa familje Mehaj nga Prigoda e Istogut dhe një i ri i familjes Maksutaj nga Banja e Pejës. Dhe, jo vetëm ne, por janë të gatshëm të pagëzohen edhe qindra e mijëra të tjerë por në mungesë të lirive fetare dhe poshtërimit të nxitur nga rrethe të caktuara, njerëzit po hezitojnë. Sidoqoftë, kjo çështje ka marrë frymë dhe nuk mund të pengohet më. Aktin tonë ne e bëmë publikisht pa u fshehur dhe kjo është vlerësuar si një sfidim i vërtetë i islamizmit politik në Kosovë, dhe është shpjeguar si një provokim i çuditshëm nga ana e BIK-ut të Kosovës, e cila çështjen religjioze e kishte pasur si punë të kryer, çështje që ka marrë fund që nga koha e viteve të fundit të pushtimit osman, të cilin ata, në të vërtetë, e konsiderojnë si ’çlirim’!? Ndjenjat tona fetare sikurse ajo e pjesës më të madhe të popullit të Kosovës, e posaçërisht e banorëve shqiptarë të Rrafshit të Dukagjinit mund të cilësohen si një laramanizëm i zbehur, apo më saktë si një indiferencë fetare. Është e qartë se një pjesë e madhe e banorëve tradicionalisht me myslimanizmin e kanë lidhur vetëm sheqerkat e festave fetare myslimane, bajramit. Asgjë tjetër! Kështu ka qenë gjendja së paku derisa filloi lufta nacionalçlirimtare kundër Serbisë, pra përderisa u fitua kjo luftë nga NATO-ja në fillim të qershorit 1999. Pastaj ndodhi një dukuri e çuditshme si rezultat i hapjes së Kosovës ndaj botës depërtuan llojlloj “bamirësish” nga jashtë, sidomos nga vendet arabo-islamike të cilët i hapën ”zemrat për vëllezërit muslimanë” të Kosovës dhe e prishën dhe e çoroditën myslimanizmin tradicional shqiptar, butësinë e tij të njohur ndaj vlerave të botës Perëndimore dhe lidhjen e tij me interesat e kombit... Çështja e ‘konvertimit’ u bë pa nevojë kinse punë e madhe. Kjo u bë me qëllim shumë të qartë që të ndalet zgjedhja që njerëzit në Kosovë dëshirojnë dhe mund të bëjnë. Zgjedhja e fesë është një nga të drejtat themelore njerëzore dhe këtë nuk mund ta tjetërsojë askush. Në rastin tonë nuk ka ndodhur as kjo. Ne të gjithë e dimë se kemi qenë të krishterë. Qoftë me përdhunë, qoftë për t’i ikur taksave të rënda qoftë për shkak të zgjedhjes këta të krishterë në nji çast vendosën të islamizohen dhe ky ishte një proces. Pjesa më e madhe e shqiptarëve një kohë të gjatë kanë qenë laramanë. Ajo ku shqiptarët nuk kanë qenë laramanë ka qenë përcaktimi i tyre kombëtar. Ata, që të gjithë padallim, kanë qenë e kanë mbetur shqiptarë. Më kujtohen shënimet e një udhëtari francez apo anglez i cili duke kaluar nëpër Gadishullin Ilirik shkruan se këdo që kishte pyetur se çfarë është ishin përgjegjur se janë katolikë, ortodoksë apo muslimanë. Por kur ka hyrë në tokat shqiptare pyetjes se çfarë janë gjithkush ishte përgjegjur: Shqiptar! Edhe udhëpërshkruesi nuk mund ta fshihte admirimin për këtë qëndrim të shqiptarëve. Në këtë kuptim, çështja e fesë është çështje e përcaktimit tim shpirtëror personal e familjar. Unë e di se familja jonë në të kaluarën ishte laramane, e di stërgjyshin tim katolik, ashtu qysh e dinë të gjithë shqiptarët padallim dhe për mua është vetëm një rigjetje, ritakim me të parët e mi. Cili shqiptar nuk ishte i krishterë? Prandaj, turri anti-krishterë, nëse kudoqoftë ka njëfarë arsyetimi, ndër shqiptarë është çmenduri. Është njësoj si ta fyesh, ta sulmosh gjyshin e stërgjyshin tënd!...
Marrë me shkurtime nga gazeta “Illyria”