E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota e dosjeve trondit të majtën, Edvini lëshon alarmin

Në seancën plenare të pasdites, do votohet sot Projektligji për pastrimin e institucioneve shtetërore, si dhe zyrave të prokurorisë e gjykatave nga ata që kanë shpërdoruar moralin e detyrën, duke u bërë xhelatët më të mëdhenj të shqiptarëve. Panik në selinë e PS-së dhe në zyrat shtetërore, ku po vegjetojnë ende eksponentët e diktaturës enveriste. Nga turbullimi, Edvini s’ka vendosur ende se ç’strategji penguese do të ndjekin deputetët socialistë në seancë plenare

TIRANE - Partia Demokratike thekson se nuk tërhiqet nga nisma e saj për miratimin në kuvend gjatë seancës së sotme plenare, të ligjit për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë. Selia blu, shpreh se ligji i dosjeve është sa i mirëpritur dhe i shumëpritur, po aq edhe i mbështetur fuqimisht nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë.
Në këtë drejtim, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Astrit Patozi, deklaroi se pastrimi i administratës publike nga ish shërbëtorët e sigurimit të shtetit, është një proces i papërfunduar dhe i ndërprerë në mes, qëllimisht nga partia e Edi Ramës.
“Ligji për pastrimin e figurës së zyrtarëve të lartë, është i domosdoshëm dhe jetik për Shqipërinë, si vendi që vuajti më shumë se kushdo tjetër në Evropë shtypjen dhe egërsinë e diktaturës komuniste”, tha Patozi.
Kreu i grupit parlamentar i PD-së, hodhi poshtë të gjitha pretendimet e pabaza dhe ogurzeza të ngritura së fundi nga Edi Rama dhe njerëzit e tij mbi gjoja lidhjen që ka ky ligj me shkarkimin nga detyra të disa individëve që janë përfshirë në disa çështje gjyqësore, për të cilat Partia Socialiste është e interesuar. “Ligji që do të miratohet në Kuvend është depozituar nga Partia Demokratike afro tre vjet më parë, kur asnjë nga këto çështje nuk ekzistonte, dhe sigurisht ne nuk kemi çuar fare ndërmend, që të ndryshonim konceptin dhe vizionin tonë për fatin apo karrierën e disa personave, pavarësisht se në çfarë vizioni apo vendi pune ndodhen ata sot”, u shpreh Patozi.
Sipas tij, një ligj që nuk kursen Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, ministrat, deputetët dhe të gjitha nivelet më të lartë të shtetit dhe administratës publike, sigurisht që nuk mund të jetë mëshirëmadh apo mëshirëplotë me një grup xhelatësh dhe persekutorësh të ish-sigurimit, që mund të kenë mbetur të kacavjerrë nëpër institucionet tona.
Në vijim, Patozi akuzoi kryesocialistin se po përpiqet të mbrojë ata persona që kanë shërbyer në diktaturën e Hoxhës dhe kanë dhunuar, vrarë dhen kanë kryer monstruozitet ndaj qindra qytetarëve shqiptarë disidentë. “Edi Rama me këtë gjest të shëmtuar po përpiqet t’u përmbushë mendjen qytetarëve shqiptarë se vetëm ata që kanë kryer monstruozitet në regjimin e Hoxhës, ata që kanë thyer kocka njerëzish dhe i kanë duart e lyera me gjakun e disidentëve të diktaturës, mund të drejtojnë dhe mund të shërbejnë më misë se shumica dërrmuese e zyrtarëve, të cilët në më shumë se 95 % të rasteve nuk kanë fare probleme me të shkuarën e tyre.
Edi Rama dhe partia e tij po kërkojnë pa sukses që të bindin publikun se vetëm ata që janë të zhytur deri në grykë në krimet e komunizmit, ata që janë përfshirë në procese të rënda politike dhe ata që kanë firmosur ekzekutime madje dhe varjen e poetëve edhe në ditët e funti të diktaturës, dhe jo pjesa tjetër e shëndoshë, kanë besimin e plotë dhe mbështetjen e tyre”, theksoi Patozi.
Partia Demokratike i konsideron të gjitha pretendimet qëllimkëqija si shkallën më të lartë të degradimit të Edi Ramës dhe të partisë së tij pasi kështu, jo vetëm po i merr nën sqetull kërbaçët e diktaturës, por në një farë mënyre po merr përsipër krimet e tyre të tmerrshme, edhe pas 18 vjetëve pluralizëm. “Duke shprehur keqardhjen për batakun politik dhe moral, ku e ka zhytur Edi Rama partinë e tij, ne sigurisht shprehim edhe vendosmërinë tonë të palëkundur për ta miratuar ligjin në seancën plenare. Megjithëse i vonuar, jo për shkakun tonë, ai është një instrument që do të pastrojnë politikën, shtetin dhe administratën publike nga të gjitha fosilet e diktaturës dhe të Sigurimit të Shtetit, të cilët sot janë në “besën” e Edi Ramës”, konkludoi kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›