E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ati ynë, që je në qiell, lirinë tonë të përditshme - jepna neve sot!”Nga Enver RobelliNë vitin 1919 shkrimtari, futuristi dhe karikaturisti francez, Albert Robida, kishte bërë një para¬shikim të saktë mbi njerë¬zit e së ardhmes. “Ata do ta kalojnë p

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Ati ynë, që je në qiell, lirinë tonë të përditshme - jepna neve sot!”Nga Enver Robelli

Në vitin 1919 shkrimtari, futuristi dhe karikaturisti francez, Albert Robida, kishte bërë një para¬shikim të saktë mbi njerë¬zit e së ardhmes. “Ata do ta kalojnë përditshmërinë në një rrjetëzim rrotash në një botë totalisht të mekan¬izuar, madje në një masë që më detyron të pyes veten se si do t’i shijojnë edhe kënaqësitë më të thjeshta, të cilat ne i kemi në dispozicion: qetësinë dhe vetminë. Por, meqë këto as që nuk do t’i kenë të njohura, as që do t’u mungojnë”. Shumë më herët, në shekullin e 17, filozofi, matematikani dhe fizikani francez, Blaise Pascal, ishte ankuar se “e gjithë fatkeqësia e njerëzve rrjedh nga ajo se ata s’mund të rrinë të qetë në një dhomë”.

Sikur Albert Robinda dhe Blaise Pascal të ishin gjallë në vitin 2009, ndoshta do të qeshnin me ironi për parashikimet e tyre të përpikta. Dalëngadalë ambientin tonë jetësor po e mbulon rrjeti WLAN, kështu që së shpejti kudo dhe çdokush mund të lidhet në internet. Para pak ditësh ky fenomen mund të studiohej drejtpërdrejt në një hotel në Kukës, ku një grusht turistësh amerikanë me një telefon me lidhje interneti shënonin në profilin e tyre në Facebook vendndodhjen (“Kukes, Albania”). Prej vitesh shumë kompani ajrore janë duke diskutuar mundësinë e lejimit të përdorimit të telefonave mobilë edhe lart mbi ré. Së shpejti njerëzit do të fitojnë edhe këtë liri dhe së shpejti do ta dëgjojmë fqinjin tonë në avion, duke iu lajmëruar dikujt në telefon nga lartësia (“Zemër, tani jemi mbi Madrid / Jo nuk pati vonesë / Dëgjohemi” - blla, blla, blla!).

Facebook & Vithkuq

Rrjetëzimi i njerëzve sjell shumë përparësi. Të dërgosh e-mail prej çdo vendi, të telefonosh, të postosh të dhëna të rëndësishme - të gjitha këto janë gjëra të mrekullueshme. Nga njëra anë. Por, nga ana tjetër, edhe të mërzitshme, sepse krijojnë një ndjenjë varësie, që mund të vëzhgohet në çdo aeroport, stacion treni, në sheshe, restorante, në plazhe. Njerëzit flasin gjithnjë e më pak mes veti, sepse nuk kanë kohë, sepse ata vazhdimisht “flasin” me botën virtuale, fundosen në YouTube, videoklip pas videoklipi, skeç pas skeçi, përrallë pas përralle. Kapitull më vete dhe ekstrem është Facebook-u, i menduar si rrjet social, si instrument lehtësues për krijimin e komunikimit mes njerëzve. Kështu ka qenë në fillim, ndoshta, në vitin 2004, kur studenti Mark Zuckerberg e zhvilloi këtë platformë për të lidhur mes veti studentët e Universitetit të Harvardit. Sot, në vitin 2009, Facebook-u numëron 200 milionë përdorues. Çdokush që ka profil në Facebook tashmë e njeh dukurinë e mërzitshme, kur njerëz krejtësisht të panjohur të torturojnë duke të dërguar ftesa për t’u bërë simpatizant (“fan”), ta zëmë, i degës së Partisë Demokratike në Tropojë, i Shoqatës së Turizmit në Vithkuq apo i ndonjë politikani që merret me reket. Kështu Facebook-u po shndërrohet në një deponi bërlloku elektronik.

Një aparat që gjithnjë e më shumë njerëz e mbajnë në dorë është Blackberry, një telefon me dhjetëra funksione, përfshirë edhe mundësinë e pranimit dhe dërgimit të e-mail-eve. Blackberry është sinonim i shoqërisë globale mobile dhe fleksibël: përdoruesit kanë qasje në e-mail çdoherë dhe çdo kund (me përjashtim të Kosovës dhe disa vendeve të tjera). Ky mobil u bë edhe më i popullarizuar kur Barack Obama gjatë fushatës për president botërisht pranoi se s’mund ta përfytyronte jetën pa Blackberry. Në Amerikë Blackberry ka filluar të quhet me përbuzje Crackberry. Crack është një drogë e njohur, e cila krijon varësi ekstreme. Crackberry përshkruan varësinë e njeriut nga ky lloj telefoni, nevojën e tij të përhershme për të qenë i lidhur në rrjetin e internetit. Disa nga përdoruesit e Blackberry-t kanë pranuar në anketa se në mbrëmje dhe në mëngjes ata së pari e këqyrin ekranin e telefonit dhe jo fëmijët e tyre. Interneti, Blackberry, mesazhet elektronike (SMS), Iphone-ët me funksionet e panumërta, thirrjet telefonike pa asnjë arsye e motiv - të gjitha këto mediume të botës postmoderne e privojnë njeriun prej shumë lirive të tij dhe e bëjnë rob të aparateve.

Hotel pa internet

Filozofi francez dhe historiani Michel Foucault, i cili ka analizuar krijimin dhe zhvillimin e sistemeve të ndryshme të dijes dhe pushtetit, që në vitet ‘70 kishte paralajmëruar se njerëzimi është duke e humbur “kulturën e heshtjes”. Foucault atëbotë e shihte si rrezik llafazaninë e vazhdueshme në televizion, e cila, sipas tij, ndikon në çrregullimin e aftësive të njeriut për të kontrolluar dhe orientuar veten. Ndërkohë gjithnjë e më shumë njerëz kanë nevojë për qetësi. Hoteli “Vigilius” (www.vigilius.it) në Tirolin Jugor në Itali ofron dhoma pa radio, pa televizor, pa internet; në hotelin “Sheraton” në Chicago mysafirët mund ta dorëzojnë telefonin mobil në recepsion. Është kohë pushimesh. Të jetosh dy javë pa telefon mobil, pa laptop dhe këso aparatesh torturuese është një luks, që secili mund t’ia plotësojë vetes. Duhet vetëm vendosmëri. Braktisja e botës së mekanizuar, së paku për disa ditë, çdokënd do ta kthejë në botën normale. “Ati ynë, që je në qiell, lirinë tonë të përditshme - jepna neve sot!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›