Atifete dhe Ilir: Mos na bëni horë!
Dy veta turpëruan Kosovën javën që shkoi. Është Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe këshilltari i parë i saj, Ilir Deda. Presidentja në Samitin e Presidentëve të Europës Qendrore në Varshavë, kurse këshilltari i Parë i saj në Radio Televizionin e Serbisë, në Beograd. Presidentes Jahjaga iu dha shansi historik që vizitën e parë jashtë vendit si Presidente ta ketë në një takim me presidentë të Europës Qendrore dhe me Presidentin më të fuqishëm të globit, Barak Obama. Ky ishte një rast ideal që Kosova ti jepte një mesazh komunitetit ndërkombëtar.
Mesazh jo më i gjatë se dy fjali, që do të përcillej në mediat botërore. Aq më tepër që për shkak të pjesëmarrjes së saj, Samitin e bojkotuan Presidenti serb dhe ai rumun. Ky rast u paraqitet presidentëve të shteteve të vogla shumë, shumë rrallë.
Më pranuan si të barabartë. (!!!) Vallë, çfarë ka menduar Atifetja? Se e kanë ftuar atje të lajë pjatat e presidentëve?!
Por, Presidentja as që e kishte idenë se çfarë mesazhi ti jepte botës. Ajo e kishte hallin se çfarë mesazhi ti jepte opinionit kosovar. Dhe ky mesazh ishte mëse idiotik: Më pranuan si të barabartë. (!!!) Vallë çfarë ka menduar Atifetja? Se e kanë ftuar atje të lajë pjatat e presidentëve?! Po me vetë faktin se je ftuar në takim homologësh, do të jesh e barabartë, përndryshe nuk të ftojnë fare. Nuk ftohen presidentet për të larë pjatat e presidentëve të tjerë. Ka njerëz profesionistë për këtë punë.
Presidentja e Kosovës nuk e kishte idenë e asaj çfarë po ndodhte në Samit, kjo gjë shihej që nga qëndrimi i saj në Samit e deri te bartja e çantës e bërë gati si për kanagjeq.
Por, Presidentja mund të shfajësohet se ishte hera e parë dhe se asaj i mungon minimumi i përvojës politike. Gjithsesi, kjo nuk i jep drejtë që të mos konsultohet me njerëz që kanë një lloj përvoje në këtë punë.
Debakli i Ilir Dedës në Beograd
Turpi më i madh për Kosovën është debakli që pësoi Ilir Deda në duelin televiziv me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç. Një pjesë të këtij faji e mban edhe autori i këtyre rreshtave. Kohë më parë më thirri një nga organizatorët e Televizionit publik të Serbisë (RTS) që të propozoja dikë për duel televiziv me ndonjërin prej zyrtarëve serbë. Meqë unë kam qenë tri herë në këtë emision, mu lutën që tiu propozoja dikë tjetër. Propozova Adem Demaçin, por Demaçi u kishte kërkuar 5 mijë euro për pjesëmarrje në emision dhe atyre u ishte dukur ofendim. Iu propozova Azem Vllasin, por ai ndodhej në Amerikë. Iu propozova Lutfi Hazirin, por Lutfiu, edhe pse kishte pranuar, u ishte shmangur me arsyetime të axhendës së ngjeshur. Iu propozova Ardian Gjinin, por ai kishte pranuar vetëm deklaratë përmes telefonit. Më shkrepi në mendje Ilir Deda dhe ua propozova. Ua dhashë numrin e tij të telefonit me shpresën se Iliri është djalë inteligjent dhe këdo që ta ketë përballë do të mund ta sfidojë. Kur mora vesh se do të kishte Daçiçin, u lehtësova akoma më shumë. Prita që Iliri të dilte fitues. Por e pashë se paskësha gabuar rëndë. Që nga fillimi i duelit e deri në përfundim Daçiçi doli ngadhënjyes. Në asnjë çështje që u diskutua Iliri nuk arriti të poentojë. Asnjë pyetjeje të Daçiçit nuk i dha përgjigje dhe asnjë pyetjeje të moderatores nuk iu përgjigj. Derisa Daçiçi e bombardonte me pyetje Ilirin, ai nuk arriti tia shtronte qoftë edhe një pyetje të vetme Daçiçit.
Përgjigjet shmeki mund të ta mbulojnë mosdijen në ndonjë rast, por jo gjatë gjithë emisionit
Ilirit i mungonte dija elementare për historinë, qoftë shqiptare, qoftë serbe. Gjithë mosdijen e vet përpiqej ta mbulonte me përgjigje shmeki. Por përgjigjet shmeki mund të ta mbulojnë mosdijen në ndonjë rast, por jo gjatë gjithë emisionit. Nuk është e thënë që të jesh historian që të kesh dije elementare nga historia. As Daçiçi nuk është historian, por ai tregoi se di diçka nga historia. Nuk ishte aspak shmeki kur Daçiç thoshte se Serbia e ka çliruar Shqipërinë nga Turqia dhe Iliri u përgjigj: Por kjo ka ndodhur para 100 viteve. Me mosdijen e vet Iliri ia vërtetonte Daçiçit gënjeshtrat, por më e tmerrshmja ishte se ai nuk kishte përgjigje as për të tashmen e as për të ardhmen e Kosovës. Nuk kishte përgjigje as për faktin se si do të kompletohet Kosova si shtet. Përgjigjja e tij në interpretimin më të drejtë mund të përmblidhet me dy fjalë: do ti bëjmë budallenj europianët që Veriun tia nxjerrin nga dora Beogradit e tia japin Prishtinës. Por kjo gjë nuk është aspak serioze për një këshilltar Presidenti dhe një anëtar ekipi negociues.
Prandaj u bëj thirrje politikanëve kosovarë dhe njerëzve të tjerë publikë: Mos u paraqitni në publik nëse nuk e keni idenë se çfarë mesazhi do të transmetoni! Mos pranoni pozita politike nëse nuk jeni të zotë për atë punë!
