E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhje pa zgjidhje,zgjidhje pa zgjedhje

TIRANE - Cilido qytet i Shqipërisë të kishte mbetur me dilemat “Kush ka fituar? Kush është humbësi? Kush do të jetë nesër kryetar Bashkie?”, përveç kryeqytetit, situata paszgjedhore do të quhej normale. Nga kutia e votës, ngatërresa mbarëkombëtare mes dy partive u hodh në KQZ, pastaj në Kolegjin Zgjedhor (d.m.th., në gjykatë), prej nga pritet me gjasë, të na shfaqet si një shpëtim veza e thyer kaqsaherë e Kolombit. Së shpejti, ky ngërç i vjetër dhe njëkohësisht i ri do të shfaqet edhe në ekonomi, por kjo nuk shqetëson askërkënd: sepse ne thuajse asnjëherë nuk e lidhim politikën me ekonominë dhe me mirëqenien, por me tafti-baftin.…Treshja e diplomatëve të Tiranës që venevijnë nga një zyrë shtetërore te një partiake dhe anasjelltas, nuk e ka zgjidhur dot nyjën gordiane të zgjedhjeve; në mos, pa dashje, e ka kolokrepsur lesharapin edhe më për keq. As kancelaritë me mesazhet e tyre të përditshme nuk i kanë dhënë dot dum zgjidhjes së ngërçit të zgjedhjeve shterpë, të mbetura në theqafje, pa humbës, pa fitues, pa kuptim, pa qeverisje në Tiranë. As Kantrimen, as Kukan, as Barroso, as Fyle, as Doris Pack, as PE, as BE, as Komisioni i Venecias…etj, etj., madje as të gjithë së toku nuk e kanë gjetur e me sa duket, nuk kanë për ta gjetur dot ilaçin e shpëtimit…
Quo vadis, Shqipëri e shqiptarëve të shënjuar nga historia si tranzicionalë të palëkundur?

Si përherë, të dyja palët ndërluftuese dalin e thonë se kanë fituar, ndërkohë që mungesa e një rezultati përfundimtar, çdo orë e çdo ditë që kalon, e bën humbjen faturë të një borxhi të pamerituar të cilën, duam s’duam, kemi për ta paguar një për një ne qytetarët, ne votuesit. Nga humbjet vijmë, drejt humbjeve të tjera shkojmë...Kjo do të thotë se, pas secilit prej nesh, mëkatin e trashëguar të zgjedhjeve pa zgjidhje e të zgjidhjeve pa zgjedhje ka për ta paguar Shqipëria, kjo jetimore, kjo strehë vorfnore e fatit tonë të përbashkët! Sepse tash askush nuk dyshon tashmë që ‘Aleanca për Qytetarin’ dhe ‘Aleanca për të Ardhmen’, përfunduan, tekefundit, prej betejës me heshta e me gjyle mediatike të fushatës së fundit, në aleancë për humbjen e radhës, të shansit, të rrugës, të mundësisë, duke hedhur në erë, qoftë edhe pa dashje, të ardhmen evropiane të Shqipërisë…Këtë meritë vulëhumburish e kanë partitë shqiptare e krerët e tyre, pavarësisht nga emrat e nga ngjyrat që mbajnë! Tejemot kështu ka qenë….pavarësisht “lugëve të florinjta” të fushatave zgjedhore që na vihen te hunda jonë politikëthithëse!
Kjo është tabloja e sezontë, në vija të trasha. Disa duan e thonë se kjo është një krizë e mirëfilltë institucionale që buron nga mosfunksionimi i institucioneve të pavarura, si p.sh, KQZ-ja apo edhe gjykatat, se medemek, po të kishim pasur drejtues me integritet, të ndershëm e të drejtë në këto institucione, nuk do të na shkonin punët kaq keq e mos më keq, për turp të botës! Se po të kishim një Kushtetutë më të mirë, një Kod Zgjedhor tjetër, ndoshta…Se po të bëheshin zgjedhje të lira, të ndershme e të drejta…dhe se…se…Por në të vërtetë nuk është kështu. Nëse shohim më qartë realitetin tonë bardhezi, Ristani nuk është një vegël qorre partie se kështu i pëlqen të jetë, apo se kështu ka menduar ta paraqesë fytyrën e vet në publik, por se kështu ai dhe të ngjashmit me të janë të detyruar të jenë, pasi ai/ata nuk kanë tjetër zgjedhje-zgjidhje, përveçse të binden e të nënshtrohen pa kushte ndaj të plotfuqishmit të radhës, si të gjithë mercenarët tanë të pafundmë e lavdiplotë!…Edhe Saliu nuk është i tillë se kështu i pëlqen, por se ai e di se shumëkujt prej nesh i pëlqen që ai të sillet me ne ashtu…
Duke qenë të emëruar, d.m.th, të përzgjedhur me kritere klientelizmi, ai/ata janë të detyruar të shërbejnë e të binden pa kushte, edhe kundër vullnetit dhe bindjeve të veta. Zot i tyre, padron i tyre nuk është e nuk mund të jetë qytetari anonim, shenjtëria e votës, dhënia e drejtësisë, interesat publike apo edhe kombëtare, jo se jo! Të gjitha këto janë cikërrima para interesit vetjak dhe urdhrave të atij që ka bërë emërimin…të atij që ka në dorë madje edhe shkarkimin, edhe sigurinë e jetës, edhe të ardhmen e familjes! Nuk janë të paktë sot ata që tjetër thonë në kafene, e tjetër mbrojnë nëpër ekrane e institucione. Një i emëruar me parimin klientelist, klanor, nepotik, krahinor apo edhe partiak, nuk është dhe nuk mund të jetë i barabartë me një të zgjedhur me meritë, nëpërmjet votës së lirë, të fshehtë e demokratike. Saliu është Berishë kryeministër se kështu na pëlqen të jetë! Një i emëruar partiak nuk ka të drejtë të ketë as dinjitet, as emër vetjak, as ndershmëri, as paanësi, as mëvetësi, as mendim të vetin, as respekt për Ligjin; përndryshe do të cilësohej një bukëshkalë, tradhtar, mosmirënjohës, i pafytyrë, i cili, në fund të fundit do të dilte si një qen i rrahur nga loja! Saliu e di më mirë se kushdo se po u soll ndryshe, si një demokrat evropian, ka për të humbur pushtetin, d.m.th, votën tonë!
Këtij gjykim-vlerësimi “ballkanik” e aspak evropian, që vjen prej zgjedhjeve pa zgjidhje e prej zgjidhjeve pa zgjedhje, pra nga korridoret e partive e familjeve dhe jo nga gara, por nga emërimet klienteliste që mohojnë përzgjedhjen me votë popullore, nuk i ka shpëtuar as Presidenti i Republikës, as shumica e akademikëve, as të gjithë prokurorët e përgjithshëm, as të gjithë drejtuesit e gjykatave apo edhe të RTSH-së publike; ndaj si mund shpresohet se do të mund t’i shpëtojnë nëpunësit e vegjël të periferive, policët, doganierët apo edhe komisionerët e gjorë?! Tash me listë të kryetarit zgjidhen edhe deputetët. Të vetmit që zgjidhen me votë direkte e të pastër maxhoritare janë kryetarët e bashkive, ndaj, meqë Tirana, si kryeqytet, ka rëndësi parësore politike e kombëtare, ajo shfaqi pas 8 majit simptomat më të rënda të krizës në gjithë sistemin e zgjedhjeve…
Kjo do të thotë se kriza në Shqipëri në të vërtetë nuk është dhe aq institucionale, si thuhet rëndom…. Mirëfilli, kriza nuk e ka burimin nga institucionet, as nga drejtuesit e tyre të deformuar moralisht e politikisht, edhe pse janë këta që e reflektojnë, e pësojnë dhe e përhapin sëmundjen molepsëse, pas një pandemie, e cila sa vjen dhe bëhet më e vështirë t’i shmangesh, ngaqë kriza në të vërtetë është bërë gjithëpërfshirëse…. Si e tillë ajo mund të zgjidhet vetëm me veprime e me mjete politike, të iniciuara jo vetëm nga një palë, por me konsensus, dmth jo duke hequr një Ristan blu për të emëruar një tjetër Ristan rozë, por duke i detyruar të gjithë Ristanët e institucioneve të sillen korrekt me ligjin, sigurisht pasi këta të vetëdijesohen se nuk janë të emëruar nga kryetarët e partive, por të zgjedhur me votë të fshehtë e demokratike, me votë të cilësuar…Vetëm këta lloj Ristanësh nuk janë në borxh e nuk detyrohen të paguajnë haraç apo gjobë morale te kryetarët e partive, por te qytetarët anonimë, të cilët i kanë zgjedhur me votë deputetët, të cilët mund ta delegojnë me votë konsensuale pushtetin e institucioneve te drejtues të tjerë, që nesër, këta, po të gabojnë, po të dredhin bishtin, pra po të ndyjnë duart e fytyrën, kanë për t’u ndëshkuar nga mediat, nga opinioni publik e më pas edhe nga vota popullore….
Ndërsa tek ne edhe deputetët, ata që bëjnë ligjet, emërohen. Ligjet dhe drejtuesit, institucionet tek ne nuk mund të ushtrojnë kontroll reciprok, por kontroll vetëm nga kryetari i partisë. Prandaj të zgjedhurit tanë nuk kanë frikë nga mediat, nga shpifjet, nga akuzat, nga korrupsioni, nga bëmat e zullumet, nga opinioni publik e as nga anëtarësia. Rrjedhimisht as nga vota…. Ata kanë frikë vetëm nga kryetari i partisë! Pikërisht kjo mendësi “centralizuese” që buron nga sistemet totalitare, çorodit dhe pështjellon gjithë mjedisin politik; e jo vetëm politik, por edhe atë shoqëror, bashkë me moralin, standardet dhe sistemin e vlerave e sidomos të zgjedhjeve! Vetëm kryetarët e partive nuk emërohen, por as nuk zgjidhen më, sepse ata janë të vetëzgjedhur tashmë për të mbetur, sa janë gjallë, kryetarë të pazëvendësueshëm e të pagabueshëm! Sali Berisha është një rast unikal në të gjitha shoqëritë demokratike; madje ai shkon aq larg në këtë drejtim sa guxon të deklarojë, se, pavarësisht nga zgjedhjet, ai do të mbetet në pushtet deri…deri sa t’i japë ymër i plotfuqishmi! Pikërisht kjo mendësi i bën zgjedhjet pa zgjidhje dhe zgjidhjet pa zgjedhje!

Në të gjithë hapësirën shqiptare vetëm një parti ka guxuar ta kufizojë mandatin e kryetarit; kjo është ‘Vetëvendosja’ në Kosovë. Ngaqë Albin Kurti, ashtu si kolegët e tij, ka krijuar një autoritet të padiskutueshëm, në zgjedhjet që do të bëhen në këtë parti ai nuk ka përballë asnjë rival, qoftë edhe formal. Vetëm se kjo parti dëshmoi jo me fjalë, por me rregulla, respekt për standardet demokratike, duke e kufizuar mandatin e kryetarit vetëm në dy mandate! Nëse partitë shqiptare, këtu, në Kosovë e në Maqedoni do të kishin vendosur këtë standard, jo vetëm që punët do të shkonin më mirë, si brenda e ndërmjet partive, por edhe jeta shoqërore do të ishte më e qetë, më normale, pa tensione, pa qorrollepsje, ndërsa konsensusi dhe marrëveshjet nuk do të ishin të pamundura…. Edhe procesi i integrimit, bashkë me zgjedhjet politike e vendore, do të kryheshin pa probleme! Duhet ta kuptojmë se nuk mund të ketë demokraci normale në një shoqëri, kur brenda partive nuk ka demokraci normale e funksionale! Ja përse i gjithë ngërçi ynë kombëtar, pra jo vetëm ai institucional, që na ka lënë më të fundit në Ballkanin Perëndimor, edhe pas Malit të Zi, tash edhe pas Serbisë, e ka burimin pikërisht te ky defekt jo vetëm statutor, por thelbësor, te ky deformim i procesit të zgjedhjeve që e ka bërë klimën demokratike të jetë përherë e acaruar, pa stabilitet!
Nuk mund të ndodhë në asnjë vend sadopak demokratik që kryeministri i vendit, edhe po të ketë dalë nga një maxhorancë absolute, ende pa mbaruar procesi i zgjedhjeve, të deklarojë, pa konsensusin e opozitës, se do të privatizojë gjithçka, me përjashtim “të shkollave dhe spitaleve” e të ca tokave pa pronarë…Ka për të privatizuar, më sak, ka për të dhënë te klientët e vet politikë, “në përdorim”, edhe rrugët kombëtare e…. E, megjithatë opozita, meqë është e zënë numërimin e “votave të hedhura në kutinë e gabuar”, nuk kujtohet të bëzajë! Askurrkund nuk lejohet të kryhen privatizime masive, totale, pa miratimin, së paku, të opozitës! Por kryetarët e partive, kur kanë edhe pushtetin ekzekutiv, kur kanë mundur të vënë nën thundrën e tyre të gjitha institucionet, kujtojnë se janë pronarë të gjithçkaje; kuptohet, edhe të procesit të zgjedhjeve! Prandaj zgjedhjet tek ne janë pa zgjidhje, ndërsa zgjidhjet përherë na imponohen, apo edhe na dhurohen nga organizmat ndërkombëtare, nga OSBE-ODIHR, pa mundësinë e zgjedhjes reale, duke mbetur përherë “pak më të mira se të mëparshmet”, por asnjëherë ashtu si duhet të jenë në një shoqëri demokratike! E pra, le të ndryshohet Kushtetuta, le të përmirësohet Kodi Zgjedhor, por më e rëndësishme është vetëm një nen statutor nëpër partitë shqiptare: kryetari i secilës parti të mos ketë më shumë se dy mandate e…e kemi për të parë se, si me magji, ka për të ndryshuar gjithë klima politike e sociale në Shqipëri!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›