Kush e bojkoton vrullin me të cilin ndërtohet Kosova si shtet?
Shoqëruar me fotografinë e monumentit të Bill Clintonit në Prishtinë, Oana Popescu (drejtoreshë programimi në Aspen Institute România), thekson në kuadrin e artikullit „Çka bojkotojmë. Vrullin me të cilin ndërtohet Kosova si shtet” (adevarul.ro, 26 maj 2011): „Bojkotimi nga presidenti Basescu i samitit rajonal të Varshovës, ku mori pjesë edhe Obama, për shkak të pjesëmarrjes së liderit kosovar, risjell në diskutim opcionin rumun për mosnjohjen si shtet të entitetit Kosovë. FP Rumania tregoi kah fundi i vitit të shkuar se si ndërtohet ish-provinca si shtet dhe si dështon Bukureshti duke mos marrë pjesë në ndryshimet në Ballkan”. Autorja përshkruan në mënyrë realiste zhvillimet, respektivisht stagnimet e ekonomisë së Maqedonisë me 32% të papunësisë e të një tregu të zi me 20%, duke kaluar nga Maqedonia në Kosovë, duke e përshkruar sentimentin e historisë së saj të gjallë, me të rinjtë e buzëqeshur, me plagët e freskëta të luftës, me njerëz që dinë të bashkëjetojnë njëri me tjetrin e që dinë të falin (me vështirësi!), me njerëz që dinë të ndërtojnë në vend që të shkatërrojnë, me njerëz tejet të gjallë, jashtëzakonisht të shoqërueshëm dhe mikpritës, me njerëz që e flasin anglishten, me ndërtime shtëpish dhe autostradash, me ndërtesa të larta zyrash dhe apartamentesh, por edhe me një mungesë planifikimesh urbane e me çmime të larta apartamentesh, por me një strukturë fizike të dyfishuar nga ngritja e një shteti të gjallë. Oana shkruan për efektin pozitiv të rritjes ekonomike si pasojë e përvojës që kanë përfituar njerëzit të respektojnë punën e organizuar e të disiplinuar, për energjinë e identitetit kombëtar të ripërfituar, për stimulimet e jashtme që ndikojnë për instalimin e një demokracie autoktone e të mirëfilltë, edhe pse Kosova ende nuk e gëzon luksin e merituar që e gëzojnë strukturat transatlantike, ndaj, thekson me notë pesimiste autorja „ajo që po ngjet atje më shumë shëmbëllen me një formë kolonizimi se sa demokratizimi”, apo më tej, „me gjithë përkrahjen amerikane dhe angleze, janë investitorë të panumërt që presin sqarimin e situatës në nivel politik, siç thekson Wolfgang Ischinger, ish-përfaqësues i BE në Trojkën e negociatave mbi ardhmërinë e Kosovës. “Procesi është i gulçuar nga korrupsioni dhe se nuk ekziston kurrfarë drejtimi koherent, ngase Kosova është e varur ekonomikisht nga rajonet tjera saqë do të arrijë të zhvillohet kur krejt rajoni do të nxirret nga goja e zezë në të cilën ndodhet”, mendon në anën tjetër norvegjezi Kai Eide, ish-reporter për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB. Sipas këtij autori, avantazhi i parë është „zhvillimi i përgjithshëm i një vendi me dymilionë banorë pa fundamentalizma islamike dhe me simpati të fuqishme properëndimore”, duke e përshkruar cilësinë e transparencës dhe pasanikët e tranzicionit e të korrupsionit, “si pasojë e së cilës përralla e dashurisë me Perëndimin mund të shndërrohet një ditë në oportunizëm apo ahmarrje kur BE do fillojë të humbë nga entuziazmi dhe durimi duke filluar të shprehë keqardhje për Kosovën si pasojë e mospërmbushjes së kushteve në procesin e aderimit, shqiptarët duke mbetur ende tributarë të një trajtimi afektiv dhe viktima permanente që mund të ndjehen të tradhëtuar nëse nuk do të jenë edhe më tej të inkurajuar e ta përqafojnë ralisht relacionin me Europën dhe Amerikën (të rinjtë e sotëm kishin mosha kritike në kohën e pastrimeve etnike të Millosheviqit dhe ende kanë reflkese revendikative dhe konfliktuale)”.
Edhe pse e gjunjëzuar nga bombardimet e NATO-s, e dyshimtë dhe e dobët për bashkëpunim me qeverinë proeuropiane, Serbia sipas autores është „çelësi i stabilizimit në rajon, e cila në krahasim me homologët shqiptarë, ua trefishon rrogat arsimtarëve mjekëve serbë për t’i inkurajuar që të mbeten në Kosovë. Resentimentet e krijuara janë të thella, ndërsa reaksionet kontraproduktive, ndaj disponimi i kohëve të fundit për kompromis me Beogradin duhet inkurajuar nga komuniteti ndërkombëtar, pa kurrfarë ndjenje të armiqësisë apo kushteve të favorizimit të njërës apo të tjetrës palë”. Mospjesëmarrja e Basescut në samitin e Varshavës është një lajthitje politike dhe diplomatike e presidentit rumun, gabim që kanë filluar ta trajtojnë edhe analistë të ndryshëm në radio, shtyp dhe televizion (ndër të cilët edhe publicistët Bogdan Chiriac, Florian Bichir, Tiberisu Puiu etj.), e të cilën thonë se çështja e Kosovës nuk është identike me kërkesat e hungarezëve të Transilvanisë për autonomi territoriale në zemër të Rumanisë. Po Rumania? - pyet autorja. Pasi përmend se KFOR-in e kontrollojnë amerikanët, se EULEX-i është instrument i BE, kurse trupat e OKB-së instrument për ta qetësuar Rusinë dhe Kinën, si dhe autoritetet lokale etj. Autorja përfundon: “Rumania përmes përkrahjes dhënë Serbisë për mosnjohjen e Kosovës, mund të jetë një mediator në këtë drejtim. Sidoqoftë formula, madje edhe pse mbetet një e mosnjohjes formale të shtetit, Bukureshti e humb në këtë moment mundësinë e të qenit një aktor relevant në rajon po qe se refuzon të punojë me Kosovën... Në kontekstin e hapave të ndërsjellë të negociatave serbo/kosovare, infleksibiliteti dhe mospjesëmarrja e Rumanisë në këtë proces esencial për BE, është për Bukureshtin një recidivë të cilës i mungon vizioni në politikën e jashtme”.