E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atletiko-Fulham, sonte finalja e Europa League

HAMBURG-Atletiko e Madridit dhe Fulhami zhvillojnë sot në mbrëmje në Hamburg të Gjermanisë finalen e Europa League, kompeticionit të dytë për nga rëndësia në kontinent. Ndeshja do të luhet në stadiumin "Nord Bank Arena" dhe do të drejtohet nga italiani Nikola Ricoli. Përballë do të jenë dy skuadra që e kanë merituar më shumë të jenë në këtë takim, pavarësisht se nuk janë nga emrat më të mëdha të futbollit europian. Atletiko e Madridit eliminoi në gjysmëfinale Liverpulin, falë një goli në fushë kundërshtare të shënuar nga uruguajani Diego Forlan. Për specialistët, por edhe për bastexhinjtë, skuadra spanjolle është favorite për të fituar trofeun, por Fulhami është surpriza më e madhe e kompeticionit, duke eliminuar skuadra si Juventusi, Volfsburgu apo Hamburgu. Për trajnerin e Fulhamit Roi Hodgson janë rikthyer sulmuesi Bobi Zamora dhe mesfushori Damien Daf. "Të dy lojtarët janë stërvitur dhe shpresoj t'i kem të gatshëm 100 %", tha ai. Në krahin tjetër, Atletiko beson se do të fitojë trofeun e parë në Evropë që prej vitit 1962, kur ata triumfuan në Kupën e Kupave. Trajneri Kike Sançez Flores la pushim 5 lojtarë titullarë në ndeshjen së shtunës kundër Gijonit në kampionat.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›