E Diel, 1 Nëntor 2026

Auditimi i parave të partive, KQZ: Ekspertët kontabël të mos bien krushqi me politikanët

TIRANË-Financat e shpenzuara nga partitë do të auditohen nga ekspertë që do të përzgjidhen me short, ku kriter parësor do të jetë përvec përgatitjes, asnjë marrëdhënie krushqie deri në brezin e katërt me drejtues partish.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar sot me një apel ekspertëve kontabël të liçensuar që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së për auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2012 nga partitë politike.

“Kjo ftesë u bëhet në zbatim nenit 23/2 të ligjit nr. 8580, “Për Partitë Politike”, i ndryshuar, me qëllim zhvillimin e procedurës për caktimin me short të ekspertëve kontabël të liçensuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik nga partitë politike”, tha sot Drilona Hoxhaj, zëdhënëse e KQZ.

KRITERET
Ekspertët kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabel të Autorizuar, (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet të plotësojnë edhe këto kritere:
1- Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licensuar në 5 vitet e fundit.
2- Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël.
3- Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit.
4- Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse.
5- Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.

SHORTI
Pas shfaqjes së interesit nga ekspetët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë auditimin e e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2012 nga partitë politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas publikimit të këtij njoftimi edhe në median e shkruar e ripërsërit këtë ftesë të interesuarit, që të dorëzojnë pranë KQZ-së brenda datës 15.05.2013, këtë dokumentacion:

1- Kërkesë aplikimi;
2- Deklaratë e nënshkruar nga kandidati lidhur me kriteret e përmendura më sipër.

KQZ njofton se deri më 15 Maj duhet të jenë depozituar të gjitha kërkesat e ekspertëve kontabël.
“Janë të lutur të gjithë ekspertët kontabël të cilët plotësojnë kriteret e sipërpërmendura që të aplikojnë pranë KQZ-së për këtë pozicion dhe të japin kontributin e tyre në realizimin e kësaj detyre të përbashkët që ligji na ngarkon, të gjithëve.
Kjo ftesë do tu ri-dërgohet të gjithë ekspertëve kontabël që janë të regjistruar pranë Institutit të Eksperteve Kontabël të Autorizuar, (IEKA), duke shpresuar në përgjigjen pozitive të këtyre ekspertëve brenda datës 15 maj”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›